Korabi feston në Shijak dhe thellon krizën e Erzenit, Canaj: Dy golat na çliruan nga presioni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2024 | 12:38

Korabi feston në Shijak dhe thellon krizën e Erzenit, Canaj: Dy golat na çliruan nga presioni

Erzeni dhe Korabi vinin në javën e katërt të Kategorisë së Parë, si skuadrat e vetëm që nuk kishin shënuar gol në kampionat. Situata për Erzenin është edhe më e rëndë, se edhe pas javës së katërt mbetet pa gola të shënuar dhe pa pikë.

korabi erzeni

Kjo ndodhi për faktin se dje dibranët triumfuan 2-0 në “Tofik Jashari” kundër Erzenit. Takimi nis me vrull, por fati ishte me miqtë që në minutën e 14-të kaluan në avantazh me Ariel Peraltën. Kur pritej reagimi i vendasve, në minutën e 22-të Korabi gjen golin e dytë. Andoni ekzekuton mjeshtërisht një goditje dënimi nga 25 metra dhe topi përshëndet trekëndëshin e djathtë të portë së mbrojtur nga Dema. Pjesa e parë u mbyll 2-0 për Korabin. Përpos zëvendësimit të detyruar në të parën, trajneri Bespalla bën tre ndryshime në startin e së dytës. Erzen krijojnë volum loje, ku pati disa mundësi shënimi, kryesisht me Hodon, por portieri Qyrani u tregua “hero” duke e mbajtur portën të paprekur. Korabi administron në të dytën dhe më në fund gjen edhe fitoren e parë në kampionat.

Agim Canaj- Trajneri i Korabit, Agim Canaj, nuk e fshehu gëzimin për fitoren në Shijak, pasi siç e deklaroi ai pas ndeshjes për “Panorama Sport” ekipi ka qenë nën presion nga rezultatet e 3 javëve të para. “Kemi qenë nën presion që nga java e parë, pasi ka ndryshuar 50% e ekipit. Situata ka ndryshuar dhe në start lojtarët ende nuk ishin njohur mirë njëri me tjetrin. Sot ishte një ndeshje shumë e luftuar. Dua t’i përshëndesë të gjithë çunat, pasi luftuan në fushë nga i pari deri tek i fundit.

Shënimi i dy golave në pjesën e parë na çliroi shumë, pavarësisht se komplimentoj edhe Erzenin, një skuadër që luftoi me mish e me shpirt. Ne ishim më të kthjellët dhe shënimi i dy golave na dha një qetësi më të madhe dhe e administruam. Mund të kishim shënuar më shumë gola, por edhe mund të kishim pësuar në fragmente të caktuara. Rëndësi ka që Korabi kaloi ngërçin psikologjik dhe shpresoj që fitorja të na vlejë për të ardhmen”, u shpreh trajneri i Korabit.

Erzeni-Korabi 0-2

Golat: Peralta 14’, Andoni 22’

Erzeni: Dema, Jori, Skënderaj (Hodo 46’), Baruti, Gjoni, Zaimaj, Buraneli (Akibu 32’), Duraku (Radovani 46’), Isteri (Lajthia 80’), Bespalla (Xheka 46’), Oulare; (Në dispozicion: Arevalo, Çillambo, Stojkoviç, Marinaj, Brahja). Trajner: Justin Bespalla

Korabi: Qyrani, Hasaj, Paplekaj, Kurti, Sina, Andoni, Mziu (Çema 90’), Kryemadhi (Ndrejaj 70’), Peralta (Halilaj 90’), Reçi (Buci 70’), Marku; (Në dispozicion: Alla, Shehu, Çomo, Çikani, Stana, Lushaku). Trajner: Agim Canaj

Kartonë të verdhë: Jori 47’, Gjoni 51’, Isteri 68’/ Kurti 32’, Reçi 50’, Ndrejaj 71’, Qyrani 90’, Buci 90+3’

 Gjyqtarë: E.Gryka (Tiranë), E.Burgu (Fushë-Krujë), J.Isufi (Vlorë)

Delegat: Engli Kokona (Tiranë)

Vëzhgues: Arben Pregja (Tiranë)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"