Korabi hap rrugë në Kupë, kalon Kastrioti me ”poker”. Canaj: Provuam të rinjtë. Nica: Ishim efikasë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2024 | 14:35

Korabi hap rrugë në Kupë, kalon Kastrioti me ”poker”. Canaj: Provuam të rinjtë. Nica: Ishim efikasë

Ndeshja e luajtur dje në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës mes Korabit dhe Kastriotit, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, u mbyll me fitoren e thellë të miqve nga Kruja, 1-4. Para se të niste loja u mbajt një minutë heshtje në nderim të lojtarit 14-vjeçar Martin Cani që u nda nga jeta në mënyrë tragjike të hënën.KORABI KASTRIOTI

NDESHJA – Loja, siç tregon edhe rezultati, është dominuar krejtësisht nga krutanët, të cilët kanë shënuar që në minutën e 5-të, me anë të kapitenit Omar Musaj. I vetëm përballë portierit Alla, ai gjuan saktë tokazi. Krutanët gjejnë edhe golin e dytë 4 minuta para fundit të pjesë së parë. Këtë radhë është Murati që shënon, pasi edhe ai del i vetëm me portierin kundërshtar. Dibranët kanë një mundësi për të shënuar me anë të shtatlartit Paplekaj, i cili godet me kokë brenda zonës, por Jaupllari pret në dy kohë. Kapllani shënon me një parabël në minutën e 37-të, por goli tij anulohet për pozicion jashtë loje.

Në fraksionin e dytë skuadra e Kastriotit shënon edhe dy herë të tjera, në të 50-ën me Johan Çelën, i cili fiton një 11-metërsh dhe po vetë e ekzekuton bukur, duke trefishuar rezultatin. Në minutën e 59-të do të vijë një eurogol i Santiano Bibës me një gjuajtje nga rreth 25 metra, që lë të shtangur portierin Alla. Dibranët reagojnë, por shënojnë vetëm golin e nderit me anë të Ertigen Shehut, i cili mposht portierin Jaupllari. Korabi ishte në hije në këtë ndeshje, ku nuk doli në lojën e tij. Ndoshta dibranët nuk e kanë pasur në llogari kupën, ndërsa Kastrioti vazhdon më tej dhe në turin e 3-të do të ndeshet me Egnatian, kampionët në fuqi të Superiores.

Korabi–Kastrioti 1-4

Golat: Shehu 68’ / Musaj 5’, Murati 41’, Çela 53’(11-m), Biba 59’

Korabi: Alla, Lushaku, Paplekaj, Çomo, Pjetri, Stana, Mziu (Tasho 48’), Andoni (Buci 54’ – Tota 73’), Halilaj, Marku (Reçi 49’), Çema (Shehu 50’). (Në dispozicion: Qyrani, Hasaj, Sina, Lila, Peralta). Trajner: A.Canaj

Kastrioti: Jaupllari, Qyra (Kullaj 68’), Zuna, Xhafa, Bredi, Murati, Berisha (Moses 57’), Hodo, Musaj (Çela 52’), Biba, Kapllani (Kuka 56’). (Në dispozicion: Puja, Hoxha, Ajazi, Doseh, Zhoao). Trajner: S.Nica

Gjyqtarë: M.Koçi, A.Demiraku (Durrës), D.Përndrecaj (Lezhë)

Kartonë të verdhë: Paplekaj 49’ / Kapllani 46’

Delegat: Sabri Kalleshi (Shijak)

Vëzhgues: Ilirjan Kristo (Tiranë)

Trajneri i Korabit

Canaj: Provuam të rinjtë

Pas humbjes dhe eliminimit nga kupa, trajneri i Korabit, Agim Canaj, u shpreh: “Kupa nuk ishte në planet tona. Kjo ndeshje na shërbeu më shumë për të parë lojtarë që nuk kishin minutazhin e nevojshëm. Aktivizuam të rinj, pasi e rëndësishme për ne është ndeshja kundër Besës në kampionat. Gjithsesi, edhe nga këta të rinj nuk jam shumë i kënaqur, sepse ata patën një mundësi për të dhënë më të mirën, pavarësisht se nuk e kishim në plan kualifikimin.”

Trajneri durrsak

Stavri Nica: Ishim efikasë

Stavri Nica, trajner i Kastriotit, e komentoi kështu kualifikimin e skuadrës së tij: “Vazhdojmë punën hap pas hapi, ku skuadra rritet duke pasur zotërimin e topit. Shoh një skuadër që po vjen në rritje, që synon të marrë më shumë. Kërkoj që skuadra të veprojë me logjikë, por duke rritur edhe cilësinë, gjithmonë me profesionalizëm. Kastrioti ishte efikas sot (dje) dhe vazhdimisht kërkojmë që këtë efikasitet ta përdorim edhe në kampionat. Shpresojmë ta mbajmë ritmin.”

Abdulla Dushku-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"