Korabi me “ethe” mbijetese, trepikëshi si ilaç. Trajneri Çela: Kukësi e ka si finale në Peshkopi
Korabi me “ethe” mbijetese, trepikëshi si ilaçi i vetëm Korabi ka çaluar shumë në 16 javët e luajtura në këtë sezon, duke qenë larg asaj që dibranët kanë pasqyruar në edicionet e shkuara ku luftonin për elitën. Të besuarit e trajnerit Agim Canaj kanë shansin që sot ta mbyllin vitin me një fitore, ku në orën 13: 30 presin Kukësin.
Tri pikët në këtë derbi të veriut shikohen si dritë në fund të tunelit, me shpresën që viti 2025 do ta përmbysë situatën në favor dhe ekipi të mos përshkohet nga “ethet” e mbijetesës.
Trajneri Canaj duket se i ka idetë e qarta për mënyrën që të çon te fitorja. Lajm i mirë është se për këtë takim grupi është i plotë dhe trajneri ka mundësi përzgjedhje. Fitorja mungon prej disa javësh te Korabi, ndaj kërkohet me ço kushte suksesi ndaj Kukësit, në mënyrë që të nisë ngjitja e shkallëve në renditje. SHKËLQIM HASANI
Kukësi e mbyll vitin kalendarik në një sfidë delikate në Peshkopi përballë Korabit vendës. Një skuadër eksperte, sipas trajnerit Emiljano Çela, i cili në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” përpara kësaj ndeshje pohon, se Kukësi do të hyjë për të dhënë si gjithnjë maksimumin.
“E pres si një ndeshje finale ndaj një ekipi ekspert të kësaj kategorie. Synojmë të japim maksimumin tonë, si në çdo ndeshje. Më përjashtim të Hasajt, që për ne është një mungesë shumë e rëndësishme, të gjithë lojtarët e tjerë janë të gatshëm”, u shpreh fillimisht tekniku i verilindorëve. Si ndeshje e fundit në kampionat, pasi kanë edhe finalen e Superkupës me Egnatian, Çela ka një mesazh për të tijtë, duke pasur parasysh edhe problematikat me të cilën e nisën këtë sezon.
“Të vlerësojnë veten, sakrificën, punën që ata bëjnë çdo ditë dhe të japin maksimumin çdo ndeshje. Është një grup lojtarësh të rinj, por të talentuar. Patjetër, për të qenë rezultativ është një proces i gjatë për shkak të moshës, por edhe disa komponentë të tjerë që i kemi përmendur shpesh. Duke marrë shkas të gjitha problematikat që kemi pasur qysh në fillim të kampionatit, pa një fazë të mirëfilltë përgatitore, por edhe me kontingjentin të cunguar, plus dhe shumë problematikave të tjera, mendoj se djemtë deri tani kanë bërë një kampionat të mirë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Emiljano Çela. Trajneri vlerësoi punën e bërë nga grupi, që ai stërvit prej disa muajsh. VLADIMIR MEMA
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"