Korabi, prova speciale e lojtarëve të Kukësit për një “biletë” qëndrimi. Janari sjell ndryshime te kuksianët
Kukësi është një skuadër që u ndërtua në emergjencë dhe madje deri një javë para startit të kampionatit skuadra nuk ishte mbledhur dhe vihej në diskutim edhe pjesëmarrja në kampionat. Mirëpo, verilindorët u organizuan në kohë rekord me pretendimin që të paktën deri në janar të ishin ende në garë, të paktën për qëndrimin dhe të luftonin për diçka.
Kjo gjë u arrit plotësisht, sepse kuksianët jo vetëm që janë në garë sa i përket mbijetesës, por janë në lojë edhe për të zënë një vend në “play-off”. Për të menduar seriozisht për objektivat, Kukësi ka përpara edhe një ndeshje për këtë vit, atë me Korabin. Verilindorët duan ta kalojnë me sukses këtë kundërshtar, që njëkohësisht është edhe ndeshja e fundit për ata lojtarë që ende nuk kanë bindur që të tregojnë veten. Siç është bërë e ditur më herët, Kukësi do të hyjë në merkato në muajin janar, duke i detyruar që fillimisht të bëjnë largime.
Trajneri Emiljano Çela e ka theksuar në të kaluarën, se së pari lojtarët duhet të luajnë për veten e tyre dhe janë të gjithë në provë deri në muajin dhjetor. Me javët që kaluan, drejtuesve dhe vetë lojtarëve u ka mbetur edhe një ndeshje në dispozicion për të përcaktuar edhe sesi do të vijojnë gjërat në këtë aspekt. Ndaj, përpos pikëve që vlejnë shumë në këtë ndeshje, për shumë lojtarë mund të cilësohet edhe si speciale, sepse mund t’u japë “biletën” për të vazhduar më tej me Kukësin.
VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"