Korçarët të vendosur për kthesën në Ballsh, formacionet e mundshme të Bylis—Skënderbeu
Skënderbeu mbyll sot përgatitjet për ndeshjen e së dielës me Bylisin, e fundit për fazën e parë të kampionatit. Trajneri Ivan Gvozdenoviç do të japë udhëzimet e fundit për të tijtë dhe njëkohësisht do të vendosë se cilët do të jenë 11 titullarët, me të cilët do të kërkojë rezultatin pozitiv në Ballsh.
Dilema më e madhe e trajnerit serb të Skënderbeut është për lojtarin që do të marrë vendin e Ardit Nikajt të dëmtuar në treshen e sulmit, pasi në mbrojtje pritet të luajë Ramos, i cili zëvendëson Vaskezin e skualifikuar. Bashkë me Bismark dhe Rashicën pritet të jetë në fushë nga minuta e parë njëri mes Tajos dhe Tares. Stafi teknik gjatë kësaj periudhe dyjavore ka punuar jo vetëm në aspektin teknik, por edhe atë psikologjik, duke ditur që grupi i lojtarëve është i ri në moshë.
OBJEKTIVI – Korçarët pretendojnë të dalin nga kriza e javëve të fundit dhe në Ballsh do të japin gjithçka. Ata nuk kanë çfarë të humbasin në një sfidë të tillë, ku presion ka ndoshta më tepër kundërshtari, që është më poshtë në renditje. Kreu i stolit bardhekuq, Ivan Gvozdenoviç, u shpreh për gazetën pak ditë më parë se skuadra duhet të ndryshojë patjetër për të dalë nga kriza. Ai ka besim se Skënderbeu është në gjendje ta kapërcejë këtë moment të vështirë dhe për këtë do ta ndihmonte qoftë edhe një barazim në fushën e Bylisit.
Transfertat deri tani kanë qenë tabu për skuadrën juglindore, por duhet pranuar se edhe kundërshtarët kanë qenë më të fortë. Pavarësisht se e vlerësojnë Bylisin, korçarët janë të vendosur për të mos dalë pa pikë këtë herë, sepse në të kundërt llogaritë do të komplikoheshin jo pak që në fazën e parë të kampionatit.
FORMACIONET E MUNDSHME:
BYLIS(4-5-1): Beqaj(Hasanbelli); Papa (Mahmuti), Gabriel, Bruno, Peralta; Abazaj, Kasaj, Ruçi, Përgjoni, Sulovari; Tofik. Trajner: N.Dede
SKËNDERBEU(4-3-3): Alia, Doka, Ramos, Prençi, Gërço; Rabiu, Juri, Janaqi, Rashica, Tajo, Bismark. Trajner: I.Gvozdenoviç
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"