“Kosova dha 500 mijë euro për eventin…”, Ponari: Me Bushatin për një basketboll edhe më dinjitoz, Liga Unike vazhdon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2023 | 14:25

“Kosova dha 500 mijë euro për eventin…”, Ponari: Me Bushatin për një basketboll edhe më dinjitoz, Liga Unike vazhdon

Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, u shfaq entuziast për zgjedhjen e bërë, duke i besuar rolin e sekretarit të përgjithshëm të FSHB-së, Franko Bushatit.

WhatsApp Image 2023-11-25 at 12.04.26

Gjatë prezantimit të djeshëm në ambientet e “Sigal Uniqa Group”, ku nuk mungonin as personalitet të basketbollit shqiptar, Ponari ndër të tjera u shpreh: “Për mua është një ditë e veçantë dhe interesante të prezantoj Franko Bushatin, tashmë jo më si basketbollist por si sekretar të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit. Një ish-lojtar i kombëtares me 20 vite karrierë në Itali. Natyrisht që marrja përsipër e drejtimit organizativ të federatës është në radhë të parë një sfidë për Frankon, gjithashtu edhe për federatën. Unë i uroj suksese dhe punë të mbarë. Në bisedat që kemi pasur kemi konstatuar që federata është sipas modelit të drejtimit të sekretarit. FSHB tashmë ka arritur suksese të shumta gjatë këtyre viteve, edhe me drejtimin e Korab Llazanit ka qenë në pozita të duhura, ndërsa ne sot përfaqësohemi me gjashtë ekipe Kombëtare që nga moshat dhe deri te të rriturit. Por ndryshimet e reja do ti japin një plus de një stad të ri drejtimit dhe zhvillimit. Objektivat tona tashmë janë ndryshe për ti dhënë Shqipërisë një basketboll edhe më dinjitoz dhe një barrë edhe më e madhe do ti bie Frankos”, deklaroi numri një i basketbollit shqiptar.

LIGA UNIKE – Më tej, Ponari foli edhe për Ligën Unike, duke evidentuar vështirësitë për eventin e përbashkët ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Megjithatë kreu i FSHB-së bëri të ditur se organizimi i këtij kompeticion do të vijojë: “Liga Unike për të djem do të zhvillohet me grumbullim 1-javor, ndërsa për vajza do të vijojë të organizohet me sistem vajtje-ardhje. Është një aktivitet shumë i rëndësishëm që do të vazhdojë të zhvillohet. Natyrisht që ne jemi të vetëdijshëm për nivelin e ekipeve tona dhe të ekipeve të Kosovës. Një diferencë që vjen për arsye financiare, të cilat duhet të zgjidhen në të ardhmen. Liga Unike në Kosovë është mbështetur nga qeveria kosovare me 500 mijë euro, ndërsa në Shqipëri nuk ka pasur asnjë mbështetje. Megjithatë ne do ta vazhdojmë, sepse është një iniciativë e ndërmarrë dhe nuk tërhiqemi”, deklaroi presidenti i FSHB-së.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"