Kote: Skënderbeu s’është dorëzuar, me merkato e kalon krizën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2024 | 18:40

Kote: Skënderbeu s’është dorëzuar, me merkato e kalon krizën

Skënderbeu ndodhet në pozita shumë të vështira pas 19 javësh kampionat. Një situatë kjo që ka sjellë një ngarkesë psikologjike si asnjëherë tjetër jo vetëm në skuadër, por edhe në opinionin sportiv korçar.

gerti kote

Vendi i fundit në klasifikim duket se nuk pranohet kollaj në një klub si Skënderbeu, që ka vuajtur presionin e renditjes dhe mungesën e reagimit javët e fundit të kampionatit. Nën sytë e ish-futbollistit Gertion Kote, pozicioni i Skënderbeut është i sikletshëm dhe problematikat që janë shfaqur këto javë nuk po e lënë skuadrën të ringrihet. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi shprehet se aspekti psikologjik ka shumë rëndësi për të kapërcyer vështirësitë.

“Është një moment i vështirë, i pazakontë për Skënderbeun e dekadës së fundit. Ky klub nuk ka pasur një situatë të ngjashme, me të tilla rezultate radhazi. Nëntë javë pa fitore kanë shkaktuar në ekip një bllokim psikologjik më shumë se sa një pamundësi për të konkurruar me të tjerët. Këtë e them me bindje, pasi kam parë që në skuadër ka elementë cilësorë. Madje, nëse i referohemi ndeshjes ndaj Bylisit, ekipi u shpreh mirë, por lojtarët nuk ishin të përqendruar plotësisht për shkak të ngarkesës psikologjike. Ky është edhe “kundërshtari” më i vështirë për Skënderbeun në këtë moment”, ka thënë Kote.

KAMPIONATI – Për ish-futbollistin korçar, Skënderbeu nuk është dorëzuar dhe kjo duket nga mënyra si ekipi punon në stërvitje. Sipas tij, disa afrime për të rritur cilësinë janë të nevojshme në merkaton e dimrit. “Unë nuk shoh një klub të dorëzuar, që i ka mbyllur llogaritë me Superioren. Përkundrazi, shoh përkushtim për ta kaluar këtë moment krize. Edhe me ndryshimin e trajnerit kam parë shumë seriozitet në punë.

Për këto arsye jam i bindur se do të vijë kthesa te ky ekip. Sa i përket merkatos, klubi e di se si duhet të veprojnë. Për mendimin tim, ekipi ka nevojë për disa lojtarë me eksperiencë në Superiore dhe me cilësi po ashtu, që ta ndihmojnë për të dalë nga kjo situatë e pakëndshme”, përfundoi Kote.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"