Kotobelli karikon skuadrën: Ta fillojmë sezonin me fitore, rivalët motivohen ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2024 | 19:23

Kotobelli karikon skuadrën: Ta fillojmë sezonin me fitore, rivalët motivohen ndaj Teutës

Topi i futbollit do të rrotullohet sërish në fushat e gjelbra, teksa ndeshja ndërmjet Teutës dhe Bylisit, të dielën në orën 20:00 në stadiumin “Niko Dovana”, do të ngrejë siparin e Superiores 2024-2025.

kotobelli

Durrsakët presin në shtëpi ballshiotët e rikthyer në elitë në një takim që interesant që në start. Para duelit të parë të sezonit të ri, kapiteni i bluve, Blerim Kotobelli, ka folur për “Panorama Sport”, duke treguar pritshmëritë e bregdetarëve në këtë fillim sezoni.

Kotobelli, si paraqitet gjendja e ekipit, tashmë që ka nisur numërimi mbrapsht për ndeshjen kundër Bylisit?
Gjendja në skuadër është shumë e mirë, ka entuziazëm dhe jemi të bashkuar të gjithë. Falë Zotit nuk kemi lëndime dhe jemi gati për sezonin e ri të Superiores.

Si po e pret Teuta startin e sezonit?
Të dielën do ta kemi ndeshjen e parë të kampionatit të ri dhe jemi përgatitur maksimalisht për këtë duel. E dimë se nuk do ta kemi aspak të lehtë, pasi përballë kemi skuadrën që rikthehet në superiore pas një sezoni. Mendoj se ata do ta kenë një motiv të madh, sepse do të luajnë ndaj nesh. Mirëpo ne duhet të shohim punën tonë, të japim maksimumin dhe të dalim fitimtar nga kjo ndeshje.

Kundërshtari do të jetë i motivuar në debutim, i druheni?
Siç e thash edhe më lart, ne do ta kemi përballë një ekip si Bylis, që rikthehet pas një sezoni në Superiore. Normalisht nuk do të jetë ndeshje e lehtë për ne, pasi Teuta është motiv i madh për çdo rival. Por ne duhet të mendojmë për veten, të japim maksimumin dhe të marrim rezultatin e dëshiruar, që është fitorja. Shpresojmë me ndihmën e Zotit ta nisim mbarë kampionatin dhe që në ndeshjen e parë të marrim fitore.

Nisja me një 3-pikësh do t’iu bënte shumë punë, si e shihini?
Në rast se e studiojmë kundërshtarin besojmë që do bëjmë të pamundurën për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje. Por kurrsesi nuk duhet që as ta nënvlerësojmë, por gjithashtu as ta mbivlerësojmë Bylisin. Duhet të bëjmë lojën tonë, të futemi në fushë për të marrë një rezultat pozitiv, siç është fitorja. Pra të tentojmë ta nisim mbarë. Nuk duhet të shohim ekipet kundërshtare, diferencat në kampionatin shqiptarë janë shumë të vogla. Të bëhemi skuadër sa më e konsoliduar dhe të marrim rezultate. Të gjithë duam të dalim sa më mirë, si unë edhe të gjithë në klub.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"