Kotobelli: Skënderbeu është ndërtuar të jetë konkurrues, por ne duam tre pikë në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2024 | 11:56

Kotobelli: Skënderbeu është ndërtuar të jetë konkurrues, por ne duam tre pikë në Korçë

Kapiteni Blerim Kotobelli është shprehur optimist për grupin, pavarësisht që ekipi nuk ka marrë rezultatet e kërkuara në këtë fillim kampionati. Në një intervistë për “Panorama Sport”, para duelit kundër Skënderbeut, kapiteni i bluve ka folur për cilësitë e kundërshtarit, por nuk e ka fshehur objektivin që ka me shokët e tij për këtë takim.

KOTOBELLI

Si e keni përgatitur takimin kundër Skënderbeut?
E kemi përgatitur takimin, sikurse në çdo sfidë tjetër duke analizuar kundërshtarin në të gjitha drejtimet. Kam besim te ekipi që do të shkojmë drejt fitores, kemi treguar mjaftueshëm në tri ndeshjet e para për të ardhur deri te trepikëshi sot.

Sa e vështirë është kjo ndeshje?
Na pret një kundërshtar i fortë, pasi ka një besim të madh, duke u nisur nga starti i mirë i kampionatit dhe mbi të gjitha një ekip me ambicie. Kjo flet mjaftueshëm që ne duhet të jemi serioz dhe gjithë fokusin në ndeshje.

Është momenti i duhur për tri pikët?
Skënderbeu është një ekip i ndërtuar për të qenë konkurrues me shumë futbollistë kualitativ, por besoj shumë te skuadra ime. Kemi bërë paraqitje të mira, pavarësisht që nuk kemi marrë atë që kemi synuar. Në ndeshjen e fundit kemi humbur nga gabimet tona, por nëse marrim në përgjithësi tri ndeshjet e para, duke analizuar kundërshtarin në pak raste shënimi, atëherë do të thotë që futbollistët kanë luajtur me përgjegjësi tejet të madhe dhe me seriozitet.

Nuk ka vend për shqetësim? Keni besim te ky grup?
Kemi bërë paraqitje të mira dhe kemi besim të madh te grupi. Fitorja është çështje kohe. Skuadra po punon me seriozitetin më të madh dhe ne nuk do të heqim dorë asnjëherë nga idetë tona. Nëse grupi vazhdon me këtë formë, jemi të bindur që do të kthehemi shpejt te rezultatet pozitive, saktësisht te fitoret.

Duke qenë se keni pësuar 6 gola në 3 javë, a do të ishit i kënaqur me një fitore apo barazim pa pësuar gol?
Unë do isha i kënaqur të bënim një ndeshje të mirë dhe të fitonim. Rëndësi ka që të shënojmë gola, edhe pse dihet që është një ndeshje që ka specifikën e saj. Gjithsesi, e rëndësishme është fitorja. Normale që gjëja më e mirë do ishte sikur të triumfonim pa pësuar gol, por në futboll ndodh edhe që të pësosh. Është një takim i fortë që pritet çfarëdolloj rezultati.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"