Kovaçi: Me gjykim të drejtë, Valbona nuk i trembet asnjë kundërshtari në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2024 | 0:25

Kovaçi: Me gjykim të drejtë, Valbona nuk i trembet asnjë kundërshtari në Kategorinë e Parë

Valbona arriti një fitore bindëse ndaj Lushnjës, duke ndezur shpresat për sigurimin e objektivit parësor. Lojtarët ishin të karikuar për t’i bërë një dhuratë presidentit të klubit, që atë ditë kishte edhe ditën e lindjes. Aksione të bukura, që buronin nga mbrojtja me pasime e kombinime që vijonin deri para portës.

kovaci valbona

Sulmuesit treguan vitalitetin e tyre duke shfrytëzuar këto momente që i dhanë fitoren tropojanëve. Në një ditë të shkëlqyer ishte edhe portieri debutues Brajan Marku, që me dy–tre ndërhyrjet e tija mbajti rrjetën e paprekur. Valbona e administroi mjaft mirë lojën, sidomos pjesën e dytë, duke mbajtur në fuqi rezultatin 2-0. Një nga protagonistët e ndeshjes që me golin e tij të dytë, i dha sigurinë skuadrës për fitore, ishte Elvis Kovaçi. Për “Panorama Sport” autori i golit të dytë të Valbonës u shpreh: “Fitorja i dedikohet presidentin tonë me rastin e ditëlindjes.

Ne ishim të përgatitur për një fitore të tillë. Kishim me vete fatin, por edhe gjykimi i drejtë bëri që ne të dilnim me fitore nga Lushnja. Jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe në të tjerat kemi dhënë spektakël e duhej të fitonim. Njëlloj kemi luajtur edhe në Pogradec, ku na u mohuan dy penallti, po kështu edhe në disa takime të tjera. Gjithsesi, ne do të bëjmë punën tonë. Forca e Valbonës është e njëjtë me atë të ekipeve pretendente, gjithmonë nëse takimet gjykohen pa njëanshmëri. Të njëjtën forcë ne do të tregojmë edhe në transfertën e Kavajës, kundër Besës”.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"