Krisje te Siti? Nevil dhe Karrager aludojnë për përplasje të De Bryjne me Guardiolën
Geri Nevil beson se diçka po ndodh patjetër në dhomën e zhveshjes së Mançester Sitit mes të mungesës së vazhdueshme të Kevin de Bryjnes nga formacioni titullar. Belgu ishte një zëvendësues i vonë të dielën në mbrëmje, pasi skuadra e tij pësoi një humbje 2-0 nga Liverpuli në “Anfield”, prej golave të Kodi Gakposë dhe Mohamed Salahut, të cilët i dërguan “Reds”-at 11 pikë përpara kampionëve në fuqi.
De Bryjne ka vuajtur nga një dëmtim muskulor në kofshë sezonet e fundit, duke humbur 19 ndeshje sezonin e kaluar me këtë problem, ndërsa në këtë sezon minutat e tij janë menaxhuar, pasi ai u detyrua të humbasë pesë ndeshje pas një përsëritjeje të të njëjtit problem. Por, meqë skuadra e Pep Guardiolës kishte nevojë për një rezultat kundër Liverpulit për të mbajtur gjallë shpresat e tyre për titull, vendimi për ta hequr 33-vjeçarin nga ekipi titullar ngriti disa vetulla, duke përfshirë atë të ishkapitenit të Mançester Junajtid dhe opinionistit të “Sky Sports”, i cili beson se kjo tregon se ka disa probleme brenda kampit të “Qytetarëve”.
“Ka disa gjëra që janë interesante”, tha ai në programin e tij pas ndeshjes në “Anfield”. “Gjëja e De Bryjnes është e pazakontë, e çuditshme. Pse ndoshta lojtari më i mirë që ka pasur Premier Liga në 10 vitet e fundit nuk është atje? Ne e dimë se ai ka pasur dëmtime, por pse nuk është atje, sepse ai është një lider, ai ka autoritet, ka besim dhe shkëlqim, kështu që diçka po ndodh patjetër në dhomën e zhveshjes. Ka diçka që po ndodh, por Guardiola ka marrë kontrollin e plotë të klubit, ai ka zgjatur kontratën e tij dhe ndoshta është vetëm duke pritur për merkatot e janarit dhe verës. Ai ka ndërtuar dy ekipe të bujshme futbolli gjatë kohës që ka qenë në klub dhe do të duhet të shkojë dhe të ndërtojë një të tretë”.
KARRAGER – Pikëpamja e Nevil u nda nga ishmbrojtësi i Liverpulit, Xhemi Karrager, i cili këmbënguli se diçka nuk është në rregull mes mesfushorit dhe trajnerit të tij. “Diçka po ndodh me De Bryjnen”, tha ai për “Sky Sports”. “Për mua, ai ka qenë lojtari më i mirë në pesë sezonet e fundit. Ai nuk po fillon ndeshjet dhe nuk hyri pas pjesës së parë. Nuk jam duke u përpjekur të shkaktoj më shumë telashe për Mançester Sitin, por diçka nuk është në rregull mes këtyre të dyve.
Është e trishtueshme sepse po flasim për një nga menaxherët më të mëdhenj dhe lojtarët më të mëdhenj në Premier Ligës. Kontrata e tij skadon këtë verë dhe unë e di se ai ka pasur disa probleme, por diçka nuk është në rregull nëse ai nuk është në ekip kur është në formë”. Verën e kaluar De Bryjne u përfol me një largim nga “Etihad” pasi marrëveshja e tij aktuale i afrohej skadencës. Pati raportime se belgu ishte i hapur për t’u larguar nga klubi dhe mungesa e tij në skuadër ka shtuar vetëm spekulime të mëtejshme.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"