Kriza i duket çështje kohe, Guardiola: Jam OK dhe do ta kthejmë situatën te Siti
Çdo ndeshje e Mançester Sitit duket si momenti i duhur për të bërë kthesën dhe ndeshja e sotme në drekë kundër Aston Vilës është mundësia e radhës për të kthyer timonin për kampionët e Anglisë.
Pep Guardiola tha në konferencën e djeshme se ai nuk ndihet nën presion, është mirë dhe është i bindur se kampionët e tij do ta kapërcejnë këtë krizë: “Në ndeshjen e fundit ne ishim pranë fitores dhe e humbëm atë. Nuk isha i lumtur dhe duhej të isha i sinqertë me veten. Gjashtë herë bie, shtatë herë duhet të ngrihesh në këmbë. Unë jam mirë, jam një njeri normal. Duhet të fillojmë përsëri. Duhet të provoni dhe ta bëni përsëri. Herët a vonë, ne do ta kthejmë atë. Nuk e di kur”.
Por në këtë periudhë të vështirë, Mançester Siti nuk po ndihmohet as nga fati. Katalanasi konfirmoi se mbrojtësi Ruben Diaz do të mungojë për “tre ose katër javë” pas dëmtimit kundër Mançester Junajtid. Mbrojtësi 27-vjeçar luajti 90 minuta të plota kundër Junajtid, por pati një problem muskulor në 15 minuta nga fundi, të cilat ai i luajti gjatë humbjes 2-1 ndaj rivalëve të tyre.
“Ai është jashtë për një kohë të gjatë. Ndoshta tre apo katër javë. Një problem muskulor. Ai luajti 75 minuta kundër Mançester Junajtid dhe ndjeu diçka, por ai është aq i fortë sa qëndroi në fushë dhe tani është i dëmtuar”.
Portieri Ederson është në dyshim për transfertën në “Villa Park”, me dyshen që i shtohet listës së gjatë të të dëmtuarve. Oskar Bob, Natan Ake, Manuel Akanzhi dhe Rodri, munguan të gjithë në ndeshjen e fundit të “Qytetarëve”. Por Akanzhi, i cili i ka humbur tri ndeshjet e fundit me Sitin, është rikthyer në stërvitje. Ndërsa për Stonsin, trajneri tha se do të ketë nevojë për kohë që të rikthehet në formën e tij më të mirë.
Në lidhje me merkaton, Pep tha se nuk do të ketë largime nga “Etihad”: “Nuk mendoj se do të largohet dikush. Në fund të sezonit ne do të vlerësojmë situatën. Unë kam mendimin se skuadra është me të vërtetë mirë, por unë i dua lojtarët e mi të më kthehen. Situata është ajo që është. Klubi do të vendosë se cila është më e mira për skuadrën”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"