Krutanët rikthehen te fitorja, e para për 2025-ën. Kastrioti ia del kundër Kukësit, mjaftoi penalltia e Ajazit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2025 | 18:32

Krutanët rikthehen te fitorja, e para për 2025-ën. Kastrioti ia del kundër Kukësit, mjaftoi penalltia e Ajazit

Kastrioti ka marrë fitoren e parë për vitin 2025, ku në javën e 19-të ka mposhtur Kukësin në shifrat 1-0. Takimi u luajt të dielën në stadiumin “Redi Maloku”, ku krutanëve u ka mjaftuar goli i shënuar nga Spartak Ajazi në minutën  38-të nga pika e bardhë e penalltisë.  Me këtë trepikësh skuadra e drejtuar nga trajneri Stavri Nica shkon në kuotën e 29 pikëve, duke ruajtur vendin e pestë.

KASTRIOTI KUKESI

Ndërsa Kukësi vazhdon të mbajë vendin e nëntë me 20 pikë.  Kastrioti i mori Kukësit jo vetëm trepikëshin në javën e 19-të, por edhe futbollistin 19-vjeçar, Bryan Pica, i cili dje debutoi ndaj ish-skuadrës.

Ndeshja- Kastrioti e nisi takimin me futbollistët e mbartur edhe nga pjesa e parë e sezonit, ndërsa te Kukësi si titullar e nisën disa nga prurjet e merkatos, ku mes tyre bënte pjesë edhe mesfushori Okonkuo i ardhur nga Iliria e Fushë-Krujës. Takimi nisi i bukur, ku në minutat e para kemi një baraspeshë në fushën e lojës. Me pas çerek-orës së parë krutanët bëhen më kërkues dhe vihen në kërkim të golit të avantazhit. Në minutën e 24-t vendasit shpërdorojnë një mundësi të mirë shënimi me Ajazin, i cili vetëm me portierin Dervishaj vonon në gjuajtje. Vijon dominimi i krutanëve, ndërsa kuksianët qëndresën më të madhe e bëjnë në prapavijë, ku mundohen që të mos lenë hapësira për kundërshtarin. Gjithsesi, në minutën e 37-të thyhet “bunkeri” i mbrojtjes verilindor, ku Edmond Hoxha pengohet në zonë dhe gjyqtari Merdaj nuk heziton dhe akordon penallti për Kastriotin.

Në minutë më pa, topin nga pika e bardhë e merr përsipër që ta gjuaj Spartak Ajazi, i cili tregohet i saktë duke kaluar vendasit në avantazh, 1-0 për Kastriotin. Me këtë rezultat u mbyllën 45 minuta e para të ndeshjes. Fraksioni i dytë nis pa ndryshime te të dy ekipet, por tani është Kukësi më kërkues. Të besuarit e trajnerit Allamani shtojnë presionin duke kërkuar golin e barazimit. Kundërsulmi, ishte “arma” më e rrezikshme për të dyja ekipet në këtë pjesë. Në minutën e 58-të, Jusuf depërton bukur në zonën krutane dhe në fund pason për Hilajn, por  ky i fundit gabon në finalizim. Një minutë më vonë vendasit me anë të Hoxhës pretendojnë për një tjetër penallti, por gjyqtari nuk është i këtij mendimi dhe vijon lojën.

Nga mesi i pjesës së parë është një moment ankthi në fushë, pasi gjatë një dyluftimi ajror, Lamellari dhe Ajazi përplasen kokë më kokë, por fatmirësisht gjithçka kalon pa probleme. Në të 85-ën Hoxha shërben për Kukën, por gjuajtja e shkodranit kalon ngjitur me shtyllën. Rasti i fundit i këtij takimi i përket Kukësit, por gjuajtja e Hasajt në të 87-ën përfundon mbi traun e portës. Ndërrimet e kryera në pjesën e dytë nuk e ndryshuan rrjedhën e 45-minutëshit të parë dhe gjithçka mbyllet me fitoren 1-0 të Kastriotit.

KASTRIOTI-KUKËSI 1-0

Goli: Ajazi 38’ (11-m)

Kastrioti: Puja, Qyra, Berisha, Zuna, Musaj, Kuka, Moses, Hoxha, Hodo (Pica 80’), Çela (Doseh 67’), Ajazi. (Në dispozicion: Jaupllari, Xhafa, Burgaj, Goga, Kullaj, Arrojo, Murati, Biba). Trajner: Stavri Nica

 

Kukësi: Dervishaj, Lamellari (Mejdani 87’), Dragoshi, Sulçe, Jusuf (Hasanaj 81’), Pecani (Metani 82’), Okonkuo, Sefa, Fadiga, Hilaj (Nasir 62’), Birçaj. (Në dispozicion: Allmuça, Nerguti, Avdiu ). Trajner: Alfred Allamani

Kartonë të verdhë: Berisha 17’, / Jusuf 22’, Dragoshi 75’, Okonkuo 90’

Gjyqtarë: A.Merdanaj, J.Isufi (Vlorë), M.Sina (Lushnjë)

Delegat: Eduard Gjini (Tiranë)

Vëzhgues: Arben Pregja (Tiranë)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"