Kryebashkiaku i Pukës, Rrok Doda, i përgjigjet Veleçikut: Ankesat bëhen në sy, jo në gazetë
Tërbuni fitoi 1-0 ndaj Veleçikut, por pakënaqësitë e polemikat kanë vijuar në distancë pas takimit. Koplikasit nuk e kanë kapërdirë humbjen dhe janë ankuar publikisht në media. Ama këto ankesa nuk janë pranuar nga pukjanët, të cilët kanë reaguar menjëherë.
“Ndeshja mes Tërbunit e Veleçikut është zhvilluar e qetë dhe pa tensione. Më vjen keq që drejtuesit kanë thënë të kundërtën për gazetën. Ndeshja u mbyll pa probleme për të dy ekipet”, thotë kryetari i Bashkisë Pukë, Rrok Doda, njëherësh dhe president i ekipit. Ky i fundit deklaroi se miqtë nëse kishin pretendime duhet t’i thoshin në sy dhe jo në gazetë. “Do të ishte mirë që këtë ata ta kishin thënë në prani të delegatit, gjyqtarëve dhe vëzhguesit të ndeshjes në përfundim të ndeshjes, por, ata kanë zgjedhur ta thonë këtë për median. Unë si president i këtij ekipi e njoh mirë futbollin.
Dikur kam qenë edhe vet futbollist. Ndeshja ka qenë ‘fair play’, gjykimi korrekt. Pas daljes së një lojtari mik me karton të kuq gjërat ndryshuan dhe akuzat ranë mbi kryesorin. Kjo na është dukur e padrejtë. Të vetmen vërejtje që kam për futbollistët e mi dhe veçanërisht për sulmuesit, është që nuk po dalin në lojën e tyre për të shënuar edhe më shumë gola. Në fundjavë do të përballemi me Besëlidhjen dhe u kërkoj lojtarëve ta vlerësojnë në maksimum kundërshtarin. Të hyjnë në fushë për një rezultat pozitiv se vetëm kështu do të mund të realizojmë objektivin”, ka mbyllur deklaratën, presidenti Doda.
GANI PEMA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"