Kthimi te Sivaspor, Manaj: Nuk deshën të më shitnin poshtë vlerës. Në Europian kalova periudhën më të bukur të jetës
Rei Manaj është kthyer këtë të diel përsëri te Sivaspor, pasi klubi turk nuk ka gjetur asnjë skuadër që të paguajë 10 milionë euro sa kërkohet për kartonin e sulmuesit shqiptar. Ai ka pranuar se është ende në pritje të një transferimi të mundshëm, por pas mbërritjes në Turqi, ka bërë të qartë se mbetet plotësisht i fokusuar te Sivaspori, me të cilin ka kontratë edhe dy vite të tjera.
“Ndjehem shumë mirë, jam i lumtur që jam kthyer përsëri, ndjehem mirë. Kam qenë gjithmonë në kontakt me Sivasporin rreth transferimit tim të mundshëm. Ata nuk deshën të më shitnin nën vlerën time të tregut. Kemi përpara një proces të gjatë ndaj do të shohim”, tha futbollisti shqiptar për TRT Spor pas zbarkimit në aeroport.
Ai më pas foli edhe për pjesëmarrjen e tij në EURO 2024, por theksoi se tashmë i gjithë fokusi ishte te klubi turk. “Kampionati Europian ishte shumë i mirë për mua. Unë kalova atje momentet më të bukura të jetës sime me fanellën e kombit tim. Por tani jam plotësisht i përqendruar te Sivaspori”, tha Manaj.
Mediat turke raportojnë se në rast qëndrimi te Sivaspor, Manaj pritet të gradohet si një nga kapitenët e skuadrës në këtë sezon.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"