Kukësi bëhet si shoshë, kavajasit rikthehen me “manita”. Buzëqesh Mirel Josa: Kjo është Besa e vërtetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2024 | 15:46

Kukësi bëhet si shoshë, kavajasit rikthehen me “manita”. Buzëqesh Mirel Josa: Kjo është Besa e vërtetë

Besa i jep fund serisë pa fitore me një rezultat bindës 0-5 në “Kukës Arena” dhe zhyt verilindorët edhe më shumë në krizë. Në një përballje që foli thuajse tërësisht për kavajasit, të besuarit e Mirel Josës zgjidhën gjithçka në pjesën e parë me golat e Kanu, Mazrekajt dhe mbrojtësit Frashërit.

besa feste ne kukes

Në të dytën thellojnë shifrat Dabo dhe Oliveira, që hynë nga stoli, duke i dhënë një tjetër “shuplakë” të rëndë Kukësit në fushën e vet, i cili pa që t’i dilnin me kartonë të kuq edhe të dy trajnerët, Çela e Kuli, për shkak të protestave. Situatë kaotike për verilindorët, që pësojnë humbjen e katërt radhazi. Ndërsa te Besa, kur shënon kapiteni Mazrekaj, është e sigurt fitorja.

PJESA E PARË – Përballja nisi e qetë në minutat e para të saj, me ekipet që përpiqen të studiojnë lojën e njëra-tjetrës dhe më pas të godasin në pikat e dobëta. Miqtë janë më të rrezikshëm me lëvizjet e Mazrekajt në fushë që përpiqet të krijojë sa më shumë hapësira për shokët e skuadrës. Edhe Spahiu ishte në një ditë të mirë. Minuta 29, Mazrekaj bën lëmsh kuksianët nga e majta e sulmit dhe më pas kroson në zonë dhe aty gjen Kanu, i cili shënon me kokë, duke kaluar Besën në avantazh. 1-0 për Besën.

Gol i jep më shumë lirshmëri dhe qetësi miqve Në të 42-ën kemi penallti për Besën, pas ndërhyrjes së gabuar të Nasri ndaj Spahiut. Mazrekaj merr përsipër goditjen nga pika e bardhë e penalltisë dhe nuk gabon, duke dyfishuar shifrat. Kur mendohej se ky fraksion është mbyllur, kavajasit kanë kohë për një tjetër gol. Mazrekaj jep një top për Spahiun që harkon për Frashërin në zonë, i cili me kokë trefishon shifrat dhe praktikisht mbyll ndeshjen. Në shifrat 3-0 për kavajasit u mbyll pjesa e parë.

PJESA E DYTË – Fraksioni i dytë nis pa ndryshime, me Kukësin që i mungojnë alternativat dhe Besa që po funksiononte mirë në 45-të minutat e para. Blutë, të vetëdijshëm që nuk kanë asgjë për të humbur shohin drejt sulmit dhe është Lala që ka mundësinë në të 60-ën të rihapë sfidën, por i vetëm përballë portierit nuk e kalon topin mbi të, duke humbur një mundësi të mirë shënimi. Vendësit e gjejnë golin me Beshirajn, por nuk konsiderohet i rregullt nga arbitri. Kavajasit mundohen që të qetësojnë lojën dhe të godasin atëherë kur duhet.

Në të 73-ën, janë vendësit që ua bëjnë të lehtë, sepse Selita dhe Nova nuk merren vesh me njëri-tjetrin pas shqetësimit të Spahiut. Në fund përfiton Dabo, që me portën e boshatisur nuk e ka të vështirë ta shtyjë në rrjetë dhe 0-4. Gjithçka është e mbyllur dhe ekipet presin thjesht përfundimin e sfidës, ndonëse nuk e ka thënë ende fjalën e fundit Oliveira, që shënon edhe të pestin për Besën. Kështu, ekipi i Josës bën autokritikë pas dy barazimeve radhazi, ndërsa Kukësi brenda pak ditësh pëson 10 gola dhe prek fundin.

 

KUKËSI – BESA 0 – 5 

GOLAT: Kanu 29′, Mazrekaj 43′ (11-m), Frashëri 45’+1, Dabo 73′, Oliveira 90+2′

KUKËSI: Nova, Mejdani (Metani 63′), Jusuf (Nerguti 75′), Kapllanaj, Lala, Sadiq, Selita, Birçaj (Hilaj 53′), Hasaj, Danaj (Peposhi 63′), Beshiraj; (Në dispozicion: Dervishaj, Sulçe, Lamellari, Ouen). Trajner: Emiljano Çela

BESA: Mehidri, Frashëri, Kapo, Abdulai(Ramilli 75′), Nurja, Mëllugja (Deliu 73′), Gjinaj (Oliveira 73′), Stafa, Mazrekaj (Meçja 82′), Kanu (Dabo 73′); (Në dispozicion: Ahmetaj, Perja, Mkhululi, Da Silva). Trajner: Mirel Josa

Kartonë të verdhë: Koçi (zv.trajneri) 45+1’, Çela (trajneri)45+1’, 71′ / Mëllugja 26′, Nurja 60′

Kartonë të kuq: Kuli(zv.trajneri) 45’+1, Çela (trajneri) 71’(2kv)

Gjyqtarë: A. Doda, Xh. Mani, F. Kolleshi (Tiranë)

Vëzhgues: Sokol Çekaj (Laç)

Delegat: Endi Hyka (Tiranë)

 

 

Kukësi,10 gola të pësuar në 4 ditë

Kukësi ka marrë dashezën dhe askush nuk mund ta parashikojë se deri ku shkon kriza e verilindorëve. Ndaj besës të besuarit e trajnerit Emiljnao Çela kanë pësuar humbjen e katërt radhazi. Ndonëse sirenat e alarmit dhe paralajmërimet janë dhënë nga stafi teknik, kriza e Kukësit sa vjen e thellohet. Pasqyra e asaj që po ndodh te Kukësi janë dy ndeshjet e fundit, ku në kuadrin katër ditëve kanë pësuar 10 gola në kampionat, 5 nga Lushnja dhe 5 nga Besa.

 

Trajneri

Buzëqesh Mirel Josa: Kjo është Besa e vërtetë

BESA FESTE ME JOSEN

Dy barazimet radhazi dhe lëshimit i terrenit me kreun e detyruan Besën që të udhëtonte në heshtje drejt Kukësit, me shpresën që lojtarët dhe të orientuar nga stafi teknik do të flisnin në mënyrën e duhur në fushën e lojës. Realisht ky mision u realizua dje nga Besa, që mori një fitore të thellë dhe bindëse në “Kukës Arena”. Ajo që ra në sy ishte shtrirja në emra e golashënuesve, pasi pesë lojtarë shënuan në Kukës. Padyshim paraqitja e verdhezinjve ndaj verilindorëve ka kënaqur edhe trajnerin Mirel Josa, i cili pas 10 javësh arrin të shqiptojë fjalinë: Kjo është Besa e vërtetë.

“Pas dy barazimeve radhazi në kampionat, ku e kam thënë edhe më parë se na u mohuan fitoret, erdhi ky sukses i bukur dhe i thellë. Edhe pse luanim në transfertë, e dominuam totalisht ndeshjen. Kjo është Besa e vërtetë, ekipi që duam të gjithë. Të fitosh kështu në transfertë do të thotë se është aftësi dhe meritë e grupit. Këtë seriozitet e përqendrim duhet ta kemi deri ne fund te kampionatit”, u shpreh trajneri Josa për “Panorama Sport”.

VLADIMIR MEMA/ FERIZ  FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"