Kukësi-Besa, sot ora 14:00/ Ndeshje anti-krize, rikthehet Hasaj për verilindorët. Goxha gëzon kavajasit, por duhet fitorja edhe pa atë
Kukësi shpreson të bëjë sa më parë kthesën në rezultate. Humbja e fundit ndaj Lushnjës ka lënë jo pak pasoja, sidomos në aspektin psikologjik. Sot, verilindorët do të presin në “Kukës Arena” një prej skuadrave që synon ngjitjen në elitë, siç është Besa e Kavajës, në orën 14:00.
Shkalla e vështirësisë është e madhe, por për ekipin e trajnerit Emiljano Çela nuk ka më kohë për të menduar, sepse janë në situatën ku u duhen me patjetër pikët. Fakti që luajnë në fushën e tyre është një motiv më shumë edhe për autokritikë ndaj paraqitjeve të fundit. 3 humbjet radhazi e kanë rritur së tepërmi zhgënjimin, jo vetëm te drejtuesit, por edhe te tifozët. Lajmi i mirë për teknikun Emiljano Çela është rikthimi i mesfushorit Françesko Hasaj. 23-vjeçari u detyrua të bëjë një javë stop për shkak të kartonëve dhe nuk ishte në fushë ndaj Lushnjës.
Bëhet fjalë për një nga futbollistët më të rëndësishëm të Kukësit të këtij sezoni, pasi lojtarët me eksperiencë i ka me pikatore. Situata e krijuar pa zbritjes nga elita, u pasqyrua te ndërtimi i një skuadër të mbushur me djem të rinj. Sa i përket titullarëve që do të luajnë sot, nuk përjashtohet mundësia që disa prej atyre që kanë zhgënjyer të lihen në stol. Aktualisht, trajneri Çela nuk ka në dispozicion shumë lojtarë që mund t’i përshtaten skemave dhe ideve të tij në fushën e lojës. Gjithsesi, mbeten për t’u parë lëvizjet që mund të bëhen, në mënyrë që ekipi të paktën të përballet denjësisht me një kundërshtar të nivelit të Besës. VLADIMIR MEMA
Goxha gëzon Besën, por në Kukës duhet fitorja edhe pa atë
Besa në dy ndeshjet e fundit ka treguar se ka humbur shumë nga shkëlqimi i fillimit, ku të besuarit e trajnerit Mirel Josa udhëhoqën Kategorinë e Parë deri në javën e shtatë. Pas Lushnjës dhe Erzenit, Besa ka pësuar barazimin e tretë në 9 javë të luajtura. Pas dy barazimeve të fundit, kavajasit rrëshqitën nga vendi i parë në të tretin dhe tani janë 3 pikë larg Flamurtarit. Krizën e sulmit e tregojnë edhe golat e shënuar në këto dy barazime, 0-0 në Shijak dhe 1-1 me Vorën. Ndaj vorakëve, Besa u ndëshkua dyfish, pasi doli i dëmtuar me barelë nga fusha lideri i mbrojtjes, Jurgen Goxha.
Direkt pas dëmtimit, që u duk i rëndë, u aludua për një këputje ligamenti, gjë e cila solli shqetësim e mërzi te të gjithë, pasi bëhej fjalë për një lider të mbrojtjes. Gjithsesi, dje ka mbërritur lajmi i mirë për mbrojtësin, pasi ka mësuar shkallën e lëndimit që zbut alarmin. “Nuk është turp ta pranoj se kam qarë pas dëmtimit, me frikën se mos humbja sezonin. Pas rezonancës ndihem i lumtur dhe besoj se shpejt do të kthehem në fushë, pasi nuk kam këputje të ligamentit”, u shpreh mbrojtësi për “Panorama Sport, që gjithsesi sot është i pamundur për në Kukës. Ky lajm ka gëzuar stafin dhe lojtarët, pasi dihet pesha e tij në ekip dhe për faktin se pas 5 ditësh, Besa do të presë Flamurtarin.
Kavajasit do të zbresin sot në orën 14:00 në stadiumin e Kukësit, ekip që u shkatërrua nga Lushnja javën e shkuar dhe që do të kërkojnë të harrohet ai turp. Besa pas 2 barazimeve do jetë e dënuar të luajë vetëm për një rezultat, fitoren. Ekipi ka udhëtuar që dje drejt Kukësit. Me grupin nuk ka udhëtuar vetëm Jurgen Goxha, ndërsa pjesa tjetër është e plotë. Nuk dihet nëse do preferohet përsëri Gersi Kapo në vend të Goxhajt apo qendërmbrojtësi me përvojë, Mylsym Ramilli. Çdo rezultat tjetër veç fitores do ta rriste diferencën e pikëve me dy kryesueset, Flamurtari e Vora. Padyshim situata në skuadrën e drejtuar nga trajneri Mirel Josa nuk është ajo e fillimit, pasi si lojtarët, por edhe stafi e drejtuesit kanë preferuar që të udhëtojnë në heshtje drejt Kukësit. Është koha që Besa të kthehet e të flasë në fushë, me të vetmin qëllim, trepikëshin. FERIZ FERIZAJ
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"