Kukësi bie kundër Lushnjës me 10 veta. Allamani: Dyrmishi duhet zhdukur nga arbitrimi. Xhafa: E merituam, i kuqi na ndihmoi
Lushnja merr tri pikë në “Kukës Arena” mes tensionit, protestave dhe braktisjes së lojës për gjashtë minuta. Lagunarët kanë mposhtur verilindorët në shifrat e ngushta 1-2, teksa vendimtar ishin goli i Cankës dhe penalltia e Kamisokos në pjesën e parë.
Rrjeta e Zhozef në të dytën nuk i dha dot pikë bluve në një ndeshje që nisi si mos më keq për vendësit pas daljes me të kuq të kapitenit Dragoshi. Me këtë fitore lagunarët mbajnë vendin e gjashtë, ndërsa kuksianët mbeten në të nëntin dhe shumë pranë zonës së rrezikut. Për tu shënuar edhe lënia e fushës nga Kukësi si protestë ndaj gjykimit.
PJESA E PARË – Përballja nis menjëherë me një episod që ndikoi jo pak në ndeshje. Në minutën e dhjetë Dragoshi ndërhyn si lojtar i fundit dhe Dyrmishi nxjerr kartonin e kuq, përpos protestave të vendasve. Më keq sesa kaq nuk mund të niste për vendasit, ndërsa Lushnja përpiqet të shfrytëzojë sa të mundet këtë mundësi. Në të 25-ën Magani merr përsipër një goditje dënimi në kufijtë e zonës së rreptësisë, me sferën, që devijohet nga Canka dhe ndalet në rrjetë. 0-1 për miqtë, të cilët katër minuta më pas fitojnë një 11-metërsh pas një pengimi në zonë. Sërish protesta të vendasve, me skuadrën, që braktis ndeshjen. Pas negociatave, rikthehen në fushë pas gjashtë minutash, me penalltinë që e shndërron në gol Kamisoko dhe dyfishon shifrat. Me një lojtar më pak dhe disavantazh të dyfishtë, Kukësi përpiqet të gjejë forca për të reaguar dhe nuk dorëzohet.
PJESA E DYTË – Kukësi nuk ka më çfarë humb dhe futet me një tjetër ritëm në fushë, duke kërkuar vazhdimisht golin që rihap sfidën. Lushnjarët përpiqen të qetësojnë lojën dhe të kundërsulmojnë. Goli i shpresës do të vinte në të 66-ën, me Zhozef, që përfiton si duhet nga një harkim nga e majta dhe me një gjuajtje të bukur e ndal sferën në rrjetë. 1-2 dhe në Kukës nisin të besojnë për të shkuar të paktën deri te barazimi. Janë minuta të mira për vendasit, por Birçe nuk tregohet i saktë në goditje fare pranë portës. Lushnja në kahun tjetër përpiqet më shumë të mbrojë avantazhin që ka, edhe pse i afrohet golit me Cankën sa herë që zbret, por kësaj here është shtylla që i vjen në ndihmë vendësve. Përpos përpjekjeve, nuk ka më gola të tjerë, me Lushnjën që del me tri pikë nga Kukësi.
KUKËSI-LUSHNJA 1-2
GOLAT: Zhozef 66’/ Canka 25’, Kamisoko 36’ (11-m)
KUKËSI: Dervishaj, Sulçe (Hasanaj 83’), Lamellari, Birçaj, Hilaj, Pecani (Metani 75’), Fadiga, Dragoshi, Selita, Sefa, Zhozef Okonkuo; (Në dispozicion: Allmuça, Nerguti, Mejdani, Avdiu). Trajner: Alfred Allamani
LUSHNJA: Alimuça, Hida, Deliaj, Korreshi, Canka. Magani, Kamisoko, Kaçanolli (Joti 72’) Hyseni (Meta 72’), Nadon (Ulluri 46’), Xherrison (Ibrahim 67’); (Në dispozicion: Haremi, Xhemalaj, Xhebrahimi, Tabaku, Januzi, Hysa). Trajner: Erion Xhafa
Kartonë të verdhë: Hilaj 19’, Sulçe 55’/ Nadon 45’, Hyseni 52’, Canka 70’, Joti 90’
Karton i kuq: Dragoshi 10’
Gjyqtarë: S.Dyrmishi, R.Muzhaqi, D.Memelli (Elbasan)
Vëzhgues: Kastriot Xhaferaj (Tiranë)
Delegat: Genc Misha (Krujë)
“Shpërthimi”
Allamani: Dyrmishi duhet zhdukur nga arbitrimi
Para ndeshjes me Lushnjën, trajneri i Kukësit, Alfred Allamani, tha për “Panorama Sport” se Silvio Dyrmishi ishte tendencioz në vendimet e tij. “Kam respekt për FSHF-në dhe arbitrat, sepse ka njerëz kompetentë për këtë punë, por sot (të shtunën) kishin dërguar një djalë që ishte tendencioz në të gjitha mënyrat. Ndaj, i lutem, i bëj thirrje ta zhdukin një orë e më parë nga arbitrimi këtë lloj djali. Nuk më ka bërë vaki në kaq shumë vite, sepse jam nga ata njerëz që rritem me futbollin, i jap dorën kundërshtarit, nuk e gjej gabimin tek arbitri dhe asnjë tjetër, por te vetja. Kukësi në dhjetëvjeçarin e fundit ka bërë histori, ndaj lëreni në hallet e veta”, u shpreh i indinjuar Allamani.
Trajneri
Xhafa: E merituam, i kuqi na ndihmoi
Pas ndeshjes, trajneri i Lushnjës, Erion Xhafa, pohon se skuadra e tij e meritoi fitoren, teksa pranon se dalja me të kuqe e kundërshtarit e ndihmoi jo pak. “E kishim vlerësuar ndeshjen, pasi e dinim që ishte e vështirë. E kishim përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe siç u pa, e kemi dominuar nga minuta e parë deri në të fundit, duke rrezikuar shumë pak. Na ndihmoi edhe fakti që lojtari i Kukësit doli me të kuq. Kemi menaxhuar lojën dhe pasur mundësi për ta mbyllur në tre apo katër me një. Në momentin që t’i nuk e mbyll, shtohet vështirësia. Kemi bërë një ndeshje të mirë, e kemi merituar dhe jam i lumtur me këto tri pikë”, mbylli Erion Xhafa.
VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"