Kukësi e Valbona e mbyllin në barazim. Kuli: Na nderoi Zoti në fund, ja pse çaloi ekipi. Gega: I mërzitur, lamë dy pikë “të arta”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2024 | 20:11

Kukësi e Valbona e mbyllin në barazim. Kuli: Na nderoi Zoti në fund, ja pse çaloi ekipi. Gega: I mërzitur, lamë dy pikë “të arta”

Derbi i Veriut ndërmjet Kukësit dhe Valbonës është mbyllur pa fitues. Kuksianët morën një pikë në “Kukës Arena” falë mrekullisë së Redon Danaj, në limitin e kohës shtesë me një goditje dënimi. Valbona kalon në epërsi me Vidricën në pjesën e parë, por goli i Danajt në shtesë u hoqi fitoren nga duart. Ndeshja u luajt në një mot të ftohtë dhe me shi.

Kukesi Valbona

Ftohtësia e motit kishte sjellë “ftohtësi” edhe në tribunat e spektatorëve, të cilët ishin të pakët në numër. Rreth 100 vetë ishin të pranishëm, ku më të shumtë ishin tropojanët. Të dyja skuadrat nuk kishin trajnerë dhe janë drejtuar nga zëvendësit e tyre, përkatësisht Bekim Kuli dhe Emiliano Gega.

NDESHJA- Rastete  para i patën kuksianët me Nasir dhe Beshiraj, por pa rezultat. Në minutën e 28-të vjen edhe goli i parë i ndeshjes i shënuar nga tropojanët. Llanaj çan bukur mbrojtjen kuksiane dhe pason te Vidrica, që sheh daljen e portierit Dervishaj dhe ia kalon topin në formë parabole mbi kurrizin e tij dhe 1-0 për Valbonën. Llanaj në minutën e 44-t humbet një mundësi për të dyfishuar dhe me fitoren 1-0 të Valbonës u mbyll pjesa e parë. Në fillim të fraksionit të dytë trajneri Bekim Kuli hedh në fushë, Momoh dhe Hilaj për të rregulluar diçka në mesin e fushës.

Përvoja e lojtarëve si Danaj, Hasaj, Beshiraj sollën besimin në skuadër dhe arritën të barazonin shifrat në sekondat e fundit të shtesës prej 5 minutash. Kukësi gjatë këtyre 45-minutave të dyta bën më shumë volum loje, duke dominuar në fushë, por sulmuesit janë konfuzë. Ndërkohë, që tropojanët bëhen gardh në mbrojtje dhe besojnë më shumë te kundërsulmi duke u hapur shumë punë mbrojtjes dhe portierit Dervishaj. Vendësit barazuan në minutën e 95-të, ku Danaj nga 25 metra, ekzekuton perfekt goditjen e dënimit dhe gjithçka mbyllet në barazim 1-1.

KUKËSI – VALBONA 1-1

GOLAT: Danaj 90+5’ / Vidrica 28’

Kukësi: Dervishaj, Lamellari (Dragoshi 58’), Mejdani (Momoh 46’), Sulçe, Selita, Jusuf, Danaj, Birçaj (Hilaj 46’)(Ouen 89’), Hasaj (Metani 79’), Nasir, Beshiraj; (Në dispozicion: Domi, Metani, Nerguti, Pica). Trajner: Bekim Kuli

Valbona: Hoxhaj, Lala, Mashi, Lamçe, Zeqiraj, Aluku (Kamilo 90+4’), Llanaj, Farruku, Uesli (Doçi 85’), Balla, Vidrica (Udo 76’); Në dispozicion: Marku, Rosaj). Trajner: Emiliano Gega

Kartonë të verdhë: Sulçe 15’, Danaj 50’ / Uesli 10’, Zeqiraj 33’, Vidrica 73’, Udo 90+2’

Gjyqtarë: Xh. Bacaj (Laç), O. Loci (Fushë-Krujë), A. Kyçyku (Tiranë)

Vëzhgues: Idriz Gashi (Durrës)

Delegat: Sabri Kalleshi (Shijak)

Tropojanët

Gega: I mërzitur, lamë dy pikë “të arta”

Emiliano Gega, drejtori teknik i Valbonës, që ishte në rolin e trajnerit, pas ndeshjes për “Panorama Sport” tha: “Valbona humbi dy pikë ‘të arta’ ndaj Kukësit dhe mjaft të rëndësishme për periudhën që po kalojmë. Në 20 minutat e para nuk ishim në nivelin tonë, por më pas në fushë kishte vetëm një ekip, Valbona që dominonte gjithçka. Kishim raste me shënuar dy ose tre gola të tjerë, por ky është futbolli. Një gjuajtje standarde në sekondat e fundit na penalizoi, duke pësuar atë gol, që na hoqi dy pikë nga duart. Jam shumë i mërzitur, sepse kemi humbur dy pikë me vlera, që do të na shërbenin shumë për qëllimin tonë, që është mbijetesa. Në tre javët e fundit ekipi ka treguar rritje”.

 

Zv.trajneri

Kuli: Na nderoi Zoti në fund, ja pse çaloi ekipi

Duke qenë se trajneri Emiliano Çela ishte pezulluar nga Disiplina, skuadrën kuksiane e drejtoi në pankinë zëvendësi i tij, Bekim Kuli. Çela e ndoqi takimin nga tribuna dhe pas ndeshjes, për “Panorama Sport”, zv.trajneri Kuli u shpreh: “E kishim përgatitur ndeshjen me Valbonën vetëm për fitore. Ekipi kishte pak doza emocionale, për vetë faktin se lojtarët janë shumë të rinj, duke nisur nga porta e mbrojtja lojtarët tanë janë nga 17-18 vjeç. Ishte kjo ndeshje që duhej të ndodhte maksimumi i tyre, por ata shfaqën doza emocionale të mëdha dhe kjo solli gabime në pasime elementare, duke na u vështirësuar lojën. Një shkak tjetër ishte dhe terreni i rënduar. Edhe kundërshtari luajti me forca të shumta në mbrojtje, gjë që na vështirësoi dhe kundërsulmet që lindnin nga mbrojtja jonë, por dhe ‘ngërçi’ i sulmuesve tanë. Me të gjitha këto arsye, unë mendoj se ne morëm maksimumin tonë. Ekipi nuk tregoi formë të mirë. Valbonës i uroj fat. Goli ‘in-extremis’, i pranon loja këto. Na nderoi Zoti e tani duhet të shikojmë përpara”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"