Kukësi fiton pas 42 ditësh, Erzeni i pakënaqur me gjykimin! Luga: Na mohuan fitoren. Çela: Lojë burrërore, sukses me vlera

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2024 | 14:50

Kukësi fiton pas 42 ditësh, Erzeni i pakënaqur me gjykimin! Luga: Na mohuan fitoren. Çela: Lojë burrërore, sukses me vlera

Takimi i luajtur në stadiumin “Tofik Jashari” ndërmjet vendasve të Erzenit dhe Kukësit, ka përfunduar në favor të këtyre të fundit, ku vendosi i goli i Nasir në pjesën e dytë. Sfida ka qenë e luftuar edhe për vetë pozicionin që mbajnë të dy ekipet në klasifikim.

kukesi feston ne shijak

Erzeni i sjell fat Kukësit, pasi verilindorët i kanë marrë 6 pikë shijakasve në dy përballjet e luajtura në këtë sezon. Kukësi nuk fitonte në kampionat që nga 28 shtatori, ku mposhtën Korabin në shifrat 1-0.

PJESA E PARË- Takimi filloi i qetë deri në minutën e 15-të me një epërsi të lehtë nga shijakasit, por pa e vënë në vështirësi portierin mik, Dervishaj. Në të 20-ën, pas një aksioni në krahun e djathtë mesfushori Migone, krosoi topin saktë brenda zonës për Zaimaj, që heziton të godasë. Ai tërhiqet nga fanella nga një mbrojtës i Kukësit, por për gjyqtarin nuk ka asgjë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i futbollistëve vendës dhe i trajnerit Ergys Luga, që pretendojnë një penallti. Erzeni vazhdon të sulmojë. Në të 32-ën, Zaimaj godet drejt portës, por portieri Dervishaj devijon duke grushtuar topin. Minuta 44, Dialo pasi mori krahun e majtë, pranë vijës fundore e dërgon topin brenda zonës, por mbrojtësit kuksianë e larguan menjëherë rrezikun. Ndërkohë që miqtë kanë tentuar në të 24-ën me Hilaj, në të 35-ën me Selitën dhe të 43-ën me Hasën, por pa rezultat. Aksionet e tyre janë menaxhuar bukur nga portieri Dema.

PJESA E DYTË- Ky fraksion loje ka qenë më i bukur se i pari. Fillimisht sinjalin e japin miqtë me anën e kapitenit Beshiraj në minutën e 48-të. Ai godet brenda zonës, por në pozicion ka qenë portieri vendës që grushton dhe dërgon topin jashtë vijës fundore. Pas tre minutave reagojnë shijakasit. Protagonist bëhet Zaimaj, që  në hyrje të zonës godet topin drejt portës së Dervishaj, por ky në një ditë të mirë ka treguar vlerat e tij duke fluturuar dhe devijuar “sferën” në goditje këndi. Kulmi arrin kur anulohet goli i mesfushorit Zaimaj. Reagojnë futbollistët, por dhe stafi drejtues ndaj kryesorit. Minuta 65, Zaimaj pasi merr një top nga mesfusha, në hyrje të zonës godet duke e çuar topin në rrjete, por në momentin e festimit të golit, vjen anulimi nga anësori. Këtu fillojnë polemikat mes futbollistëve dhe stafit me anësorin. Në minutën e 71-të Nasir realizon golin e vetëm të këtij takimi. Pas një krosimi nga krahu i djathtë, Nasir me kokë gjen kuadratin e portës në krahun e majtë të portierit Dema. Në vijim nuk ka më histori. Drejtuesit e Erzenit mbeten të pakënaqur me gjykimin, pasi me këtë humbje shijakasit thellojnë edhe më shumë krizën.

ERZENI-KUKESI O-1

GOLA: Nasir 71′

ERZENI: Dema, Dialo, Gjoni, Baruti, Juri(Isteri 53′), Akibu (Duraku 75′), Migone, Shani, Bespallov (Oulare 61′), Hodo (Lajthia 75′),  Zaimaj (Xheka75′); (Në dispozicion: Arevalo, Çillambo, Marinaj, Shehu, Radovani, Kola). Trajner Ergys Luga

 

KUKËSI: Dervishaj, Selita(Mejdani 57′), Lala (Birçe 39′), Kapllani, Sulçe, Lamellari, Jusuf, Hilaj(Ouen 76′), Hasaj (Momo 76′), Nasir, Beshiraj; (Në dispozicion: Nova, Peposhi, Danaj, Metani). Trajner: Emiliano Çela

Kartonë të verdhë: Beshiraj  81′, Sulçe 89’, Çela 90′, Selita 90′

Gjyqtarë: E.Çelaj, E. Pulaj, J. Isufi (Vlorë)

Vëzhgues: Sokol Avdo (Tiranë)

Delegat: Krenar Alimehmeti (Tiranë)

Shijakasit

Luga: Gjyqtarët na mohuan fitoren

Ergys Luga, trajneri i Erzenit, ka shpërthyer pas ndeshjes për gjykimin, ku për “Panorama Sport” u shpreh: “E kishim përgatitur ndeshjen në detaje gjatë gjithë javës edhe nga ana psikologjike. Unë i përgëzoj lojtarët që dhanë shpirtin në fushë. Kjo ndeshje ishte një paçavure me kuptimin e plotë të fjalës. Ne mund ta fitonim ndeshjen edhe 2-0. Rezultati i arritur nuk është i drejtë. Kur gjykon një treshe gjyqtarësh që bën gabime teknike, atëherë ndeshja ndryshon dhe favorizohet skuadra kundërshtare. Na u anulua një gol i rregullt dhe na u mohua një penallti më se e rregullt. Siç e thashë, skuadra ra psikologjikisht. Unë e pashë situatën vetë dhe mendova si do të shkonte kjo ndeshje. Në momentin e anulimit të golit e pyeta gjyqtarin, por ai nuk dha asnjë shpjegim. FSHF duhet të marrë masa. Ne kërkojmë që të vendoset VAR-i edhe në Kategorinë e Parë dhe kështu gabimet do të eliminohen, sidomos në këto ndeshje delikate”.

Trajneri

Çela: Lojë e fortë e burrërore, fitore me vlera

Erzeni i sjell fat Kukësit, pasi thuajse gjysmën e pikëve që kanë, ia kanë marrë shijakasve. Emiljano Çela, trajneri i Kukësit, pas ndeshjes së futur në “Tofik Jashari”, për “Panorama Sport” deklaroi:Ashtu siç e kishim parashikuar, ndeshja ishte e vështirë. Gjej rastin të komplimentoj skuadrën e Erzenit, me djem të rinj, që kishin dëshirë dhe grintë në fushë. Ishte një lojë e nivelit të mirë dhe burrëror, pavarësisht nivelit të fushës. Loja u zhvillua me duele të forta. Jam shumë i kënaqur me ekipin tim. Ia dolëm duke marrë një trepikësh me shumë vlerë në një fushë të vështirë, kryesisht ndaj një kundërshtari që dha deri në limitet e tij. Ishte një transfertë e vështirë për ne. Ndërkohë që në stadium janë rikthyer shikuesit. Me këtë fitore jemi në rrugë të mbarë”.

 ALBERT ALIKO- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"