Kukësi kalon edhe Korabin, më në fund ndryshon edhe autori i golit te verilindorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2024 | 14:15

Kukësi kalon edhe Korabin, më në fund ndryshon edhe autori i golit te verilindorët

Kukësi merr fitoren e radhës në kampionat, duke mposhtur kësaj here skuadrën e Korabit, në shifrat 1-0 në “Kukës Arena”. Kësaj here ka ndryshuar edhe autori i golit, pasi nuk është i zakonshmi Beshiraj, Mjaftoi një gol i Klevis Hilaj në minutën e gjashtë për t’i dhënë Kukësit tri pikët që e ngjisin në klasifikim dhe tanimë nis të shohë nga lart.kukesi korabiNë tërësi ishte një ndeshje që në pjesën e parë foli më mirë për të besuarit e Emiljano Çelës, ndërsa në të dytën dibranët tentuan me çdo mënyrë të shkonin te barazimi, por nuk ia dolën dot. Kukësi ngjitet në vendin e gjashtë me nëntë pikë, ndërsa Korabi ndien “ethet” e fundit, duke qëndruar në vendin e nëntë me vetëm pesë pikë.

NDESHJA – Përballja do të niste menjëherë me një Kukës më kërkues në fushën e lojës, që mundohet të ushtrojë presion dhe të shkojë sa më parë te goli. Ashtu ndodh, pasi në minutën e gjashtë do të zhbllokoheshin shifrat dhe shënohej rrjeta që në fund do të kishte vlerën e tri pikëve. Është Beshiraj, i cili rrezikon pas një harkimi në zonë, por goditja e tij ndalet në traversë, duke përfituar më pas Hilaj, i cili nuk e ka të vështirë ta ndalë në rrjetë. 1-0 dhe më mirë sesa kaq nuk mund të niste për vendësit, të cilët e kanë më të thjeshtë për të menaxhuar lojën. Janë minuta më të mira për verilindorët, që herë pas here shfaqen rrezikshëm në portën e Qyranit, ndërsa Korabi has vështirësi në pasin e fundit.

Kështu, fraksioni i parë i lojës mbyllet me avantazhin minimal të bluve që hyjnë më të qetë në dhomat e zhveshjes. E dyta nis pa ndryshime, me Çelën dhe Canaj që i besojnë titullarëve të 45-së minutave të para. Vendësit mundohen të ruajnë avantazhin, ndërsa miqtë nisin të shohin më shumë drejt sulmit dhe ushtrojnë presion në metrat e fundit, por pa pasur forcën goditëse. Minutat kalojnë dhe çdo gjë bëhet edhe më e vështirë për dibranët, të cilët shohin se përpjekjet e tyre për të shkuar te goli nuk po konkretizohen si duhet. Në fund, Kukësi arrin të marrë një fitore që vlen shumë për moralin dhe vazhdimësinë, ndërsa Korabi pas kësaj humbjeje ndodhet në pozita të vështira në fundin e klasifikimit.

KUKËSI – KORABI 1 – 0

GOLI: Hilaj 6’

KUKËSI: Dervishaj, Mejdani, Jusuf, Hilaj (Metani 62’), Sadiq, Kapllanaj, Lala, Selita, Birçaj (Danaj 73’), Hasaj (Viktor 73’), Beshiraj; (Në dispozicion: Nova, Sulçe, Lamellari, Murati, Peposhi). Trajner: Emiljano Çela

KORABI: Qyrani, Hasaj, Paplekaj, Sina, Kurti, Mziu, Kryemadhi, Marku, Reçi (Buçi 68’), Andoni (Çema 78’), Peralta; (Në dispozicion: Alla, Çomo, Halilaj, Tota, Çikani, Ndrejaj, Stana). Trajner: Agim Canaj

Kartonë të verdhë: Mejdani 33’, Sadiq 45’, Selita 55’, Viktor 88’/ Hasaj 87’

Gjyqtarë: S. Dyrmishi, R. Muzhaqi, R. Zogu (Elbasan)

Vëzhgues: Krenar Braja (Tiranë)

Delegat: Astrit Maçi (Tiranë)

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"