Kukësi-Korabi/ Çela: Duhet durim, po krijojmë identitet si ekip; Canaj: E njohim kundërshtarin, ia dalim
Kukësi do të kërkojë të ruajë ecurinë e rezultateve pozitive pas asaj fitoreje në transfertë ndaj Valbonës me përmbysje. Një trepikësh që ka rritur në njëfarë mënyre edhe moralin në skuadër, sepse treguan se nuk i mungon potenciali.
Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” në prag të sfidës me Korabin, trajneri Emiljano Çela i gëzohet besimit që ka marrë ekipi dhe entuziazmin që ka parë gjatë kësaj jave në stërvitje. “Ekipi është stërvitur shumë mirë dhe java ka qenë e qetë. Jemi stërvitur me entuziazëm dhe besimin e duhur që mund të bëjmë mirë”, u shpreh fillimisht tekniku i bluve, që një javë më parë mori edhe pikët e para në aspektin personal me ekipin e Kukësit.
SYNIMI – Sa i përket sfidës së radhës me Korabin në shtëpi, që e luajnë sot në orën 16:00, Çela pohon se për Kukësin çdo ndeshje është një detyrim për t’u fituar, por duhet të jenë të duruar. “Të gjitha ndeshjet janë detyrim për ne që t’i fitojmë, por duhet të jemi të duruar. Gradualisht, ekipi po merr formë dhe po fillojmë të krijojmë një identitet si skuadër”, u shpreh më tej kreu i pankinës verilindore. Deri më tani për Kukësin ka shënuar vetëm kapiteni Mario Beshiraj, një fakt që nuk e shqetëson trajnerin.
Sipas tij, do vijë momenti që të shënojnë edhe të tjerët, ndaj i gëzohet formës së mirë të sulmuesit. “Beshiraj është kapiten i ekipit dhe i takon të jetë shembull dhe frymëzim për lojtarët e rinj. Të dy golat në Tropojë erdhën nga zhvillimi i lojës, jo me goditje të ndaluara. Kjo më kënaq më shumë. Pastaj, me patjetër duke krijuar rrugëdalje të reja me sisteme të ndryshme do të nxjerrim edhe lojtarë të tjerë te goli”, mbylli prononcimin e tij për “Panorama Sport” ,Emiljano Çela.
SITUATA – Për ndeshjen me dibranët verilindorët do të vuajnë mungesën e mbrojtësit Ouen, që u ndëshkua me karton të kuqe javën e kaluar, i cili ka qenë një ndër titullarët e këtij edicioni. Aktualisht Kukësi ndodhet në kuotën e gjashtë pikëve në vendin e tetë, një më shumë sesa Korabi, kundërshtari i sotëm. Me kalimin e javëve verilindorët duan që të konsolidojnë pozitat në klasifikim dhe t’i largohen sa më parë zonës së rrezikut dhe më pas në merkaton e janarit të shohin mundësinë për të bërë ndërhyrje.
VLADIMIR MEMA
Canaj: E njohim kundërshtarin, Korabi ia del
Korabi i Peshkopisë do të udhëtojë drejt fqinjit verilindor, Kukësit, me shpresën për të bërë kthesën e rezultateve. Takimi do të luhet sot në orën 16:00 në “Kukës Arena”, ku për momentin duket si një ndeshje mes rivalësh për mesin e renditjes. Kukësi ka 6 pikë pas 5 javëve, ndërsa Korabi i vendit të nëntë me pesë pikë. Dibranët në 5 javët e para, ndryshe nga sezoni i shkuar, nuk arritën të tregojë forcën reale. Korabi ka lojtarë me eksperiencë, që në tre sezonet e fundit kanë luajtur deri në “play off” për ngjitjen në Superiore.
Trajneri i ekipit dibran, Agim Canaj thotë se është i bindur që Korabi nga java në javë po shkon drejt konsolidimit. Nga java në javë po riaftësohen edhe lojtarët e dëmtuar si, Papleka dhe Lilaj. “Çdo ndeshje ka specifikën e saj dhe ne në çdo takim ne hyjmë për të marrë maksimumin. Takimet sa vijnë e vështirësohen, por ne do të punojmë fort për t’ia dalë. E njohim mirë kundërshtarin e radhës, Kukësin, që ka një ekip të ardhur nga elita. Kanë ndryshuar trajnerin, kanë marrë një fitore të rëndësishme një javë më parë dhe do të kërkojnë të arrijnë te suksesi i radhës. Gjithsesi, ne do të luftojmë për të marrë maksimumin”, u shpreh trajneri Agim Canaj.
SHKËLQIM HASANI
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"