Kukësi përmbys Apoloninë në Fier. Pajaziti: I zhgënjyer, ja problemi i ekipit. Çela: Shlyem gabimet, janari vendos objektivin
Festival golash në “Loni Papuçiu”. Mes dyluftimeve të ashpra, tensionit të lartë, shtatë kartonëve të verdhë si edhe luftës së ashpër sportive, Kukësi befason dhe mund me përmbysje Apoloninë në shifrat 3-2.
Fierakët e nisën mirë sfidën me golin e shpejtë të Trifonit, por miqtë ia dolën të përmbysnin gjithçka që në 45 minutat e para me Nasir dhe Hasaj. Ky i fundit ishte protagonist absolut, pasi në minutën e 60-të shënoi një tjetër gol të bukur dhe me shumë vlerë. Apolonia rihapi sfidën në minutën e 80-të me golin e Hebejës, por pa cenuar fitoren me vlera të kuksianëve.
NDESHJA- Loja nis e vrullshme nga të dyja skuadrat. Apolonia gjen shpejt golin, që në minutën e 4-t. Kofi depërton nga e majta dhe pason saktë për Trifonin, i cili godet saktë brenda zonës dhe shënon, 1-0 për Apoloninë. Kundërpërgjigjen menjëherë miqtë, që pas vetëm 60 sekondash dalin bukur para me një kundërsulm të rrjedhshëm, dhe në fund Nasir me një gjuajtje tokazi mposht portierin Bushi. Fierakët vendosen sërish në vështirësi nga Nasir, që me një gjuajtje të fortë brenda zonës sa nuk shënon të dytin.
Me kalimin e minutave, Apolonia shfaqet e rrezikshme para portës së Kukësit, por mungon finalizimi. Pesë minuta para përfundimit të pjesës së parë, Kukësi shtang Apoloninë duke përmbysur shifrat. Beshiraj rikuperon topin në mesfushë dhe pa humbur kohë shërben te Hasaj, i cili pasi driblon këdo që i del përpara, lëshon një “predhë” nga distanca dhe shënon golin e dytë, Në shifrat 1-2 u mbyll pjesa e parë. Fraksioni i dytë nis me Apoloninë në sulm dhe më kërkuese, por fillimisht Maksuti dhe më pas Trifoni ndalen nga portieri Dervishaj.
Në momentin më të mirë të fierakëve, në minutë e 60-të, Hasaj gjen golin e dytë personal dhe të tretin për Kukësin. Apolonia është e pafuqishme në lojën e saj, por në minutën e 80-të rihapi takimin me golin Hebejës. Pjesa e dytë mbyllet me një rast të pastër, ku mbrojtësi Asllanaj godet mjaft bukur me kokë, por portieri Dervishaj reagon si duhet. Gjithçka mbyllet në shifrat 2-3.
APOLONIA – KUKËSI 2-3
GOLAT: Trifoni 4’, Hebeja 80’ / Nasir 5’, Hasaj 40’, 60’
APOLONIA: Bushi, O.Repaj (Rajmond 61’), Ndubuisi, Asllanaj, Kofi, Hebeja, Jasin (Çulli 13’) (Musa 46’), Topi (Rakipaj 83’), Trifoni, Maksuti, Umejiego; (Në dispozicion: Kaçaj, Bejzade). Trajner: Sedat Pajaziti
KUKËSI: Dervishaj, Lamellari, Mejdani, Kapllanaj, Sulçe (Selita 88’), Jusuf, Danaj, Hilaj (Birçaj 78’), Nasir (Metani 90+2’), Hasaj, Beshiraj; (Në dispozicion: Domi, Angeloti, Nerguti, Pica). Trajner: Emiljano Çela
Kartonë të verdhë: Kofi 7’ / Mejdani 45+1’, Sulçe 53’, Hilaj 57’, Danaj 87’, Hasaj 90+3’, Jusuf 90+5’
Gjyqtarë: M.Shabanaj, K.Hoxha (Tiranë), A.Muxhaj (Gjirokastër)
Vëzhgues: Arben Pregja (Tiranë)
Delegat: Armando Mandro (Tiranë)
Sedat Pajaziti
“I zhgënjyer, ja problemi që ka Apolonia”
Apolonia ka përjetuar një tjetër zhgënjim në shtëpi dhe pas humbjes me Kukësin, trajneri Sedat Pajaziti, për “Panorama Sport” u shpreh “Jam i zhgënjyer, sepse kemi disa javë që bëjmë ndeshje me dy tablo. Një pjesë e parë e dobët dhe një e dytë e mirë, por e pamjaftueshme për të ndryshuar rrjedhën e lojës. Vijojmë të mos kemi përqendrimin e duhur, sidomos kur kundërshtari në zonën tonë. U lëmë shumë hapësira, mjafton të shikosh golin e parë dhe të tretë Një humbje që duhet të na shkundë dhe të na kthehet në mësim për vazhdimësinë.
Shpërdorojmë shumë dhe pësojmë lehtë. Kishim 2-3 raste të pastra, kur rezultati ishte 1-2. Sikur të kishim shënuar një nga këto raste do të flisnim ndryshe. Na mungon përqendrimi në mbrojtje dhe efikasiteti në sulm. Kemi shumë punë për të bërë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për vështirësitë, mangësitë dhe problemet. Pastaj, jo për t’u justifikuar, por ekipi nuk është me organikë të plotë. Së fundmi, me probleme ishte mesfushori Bejzade, që pak orë para ndeshjes ishte me virozë. Gjatë ndeshjes u dëmtua mesfushori Jasin, pra dy mungesa që patën ndikimin e tyre. Sa i përket renditjes, nuk më shqetëson aspak. Kur mora drejtimin e Apolonisë, ishim më poshtë dhe u ngjitëm lart. Tani jemi sërish në një pozicion jo komod, por që mund të ndryshojë sërish”.
Emiljano Çela:
“Shlyem gabimet, janari vendos objektivin tonë”
Kukësi mori një trepikësh të vyer në Fier dhe pas suksesit, trajneri Emiljano Çela, për “Panorama Sport” u shpreh: “Jam shumë i kënaqur me këtë fitore. Ua thashë dhe çunave para ndeshjes, që nëse fitojmë këtë takim shlyejmë gabimet që kemi bërë ngjatë rrugës. E kemi thënë dhe më parë, që kundra rivalëve tanë jemi të barabartë. Patjetër që kemi shumë gjëra mangët, në krahasim me pretendentët. Ekipi po vjen në rritje, me lojtarë titullarë si Hasaj, Danaj dhe Beshiraj, që mund dhe po bëjnë diferencën. Është ndeshja e dytë, pas asaj me Pogradecin në Kupë, që fitojmë me përmbysje. Kjo tregon që ekipi ka gjendje të mirë fizike dhe karakter.
Kemi krijuar fizionominë tonë të lojës dhe presim më shumë, por mos të harrojmë që Kukësi e nisi sezonin me shumë probleme. Sa i takon objektivit, kjo është një punë që të mban gjallë falë ëndrrave dhe shpresave. Nëse do ëndërrojmë dhe shpresojmë deri në fund, kjo është pjesë e punës tonë dhe mund t’ia dalim. Çdo gjë do logjikën e vet, po presim nivelin e investimit të klubit në merkaton e janarit. Kemi elementë që po shfaqen shumë mirë. Personalisht dua të ruajmë grupin që kemi dhe të përforcohemi me 4-5 lojtarë, shumë të rëndësishëm mbi nivelin e futbollistëve që kemi. Nëse vijnë ata që unë mendoj, besoj që mund të bëhemi një ekip shumë i frikshëm, përfshi dhe grupin që kemi”.
Sulmuesi
Hasaj: Fitorja, më e rëndësishme se golat e mi
Françesko Hasaj, autori i dy golave dhe heroi i Kukësit, pas ndeshjes për “Panorama Sport” u shpreh: “Rëndësi ka fitorja, që ekipi të vazhdojë me ecuri të mirë në këtë fazë. Pastaj golat e shënuar, janë plus për mua. Unë dhe çdo lojtar tjetër përpiqemi për të dhënë më të mirën që të dalim fitimtarë. Merita është e të gjithëve pa përjashtim, të cilët luftuan fort dhe morën maksimumin me përmbysje. Rimblodhëm forcat, patëm grintën e duhur dhe ia dolëm. Sa i takon objektivit, nisur dhe nga kjo fitore në transfertë, mendoj se është shumë shpejt. Ne objektiv kemi vetëm ndeshjen e radhës, ku çdo të hënë fillojmë programin stërvitor dhe mendojmë për kundërshtarin, cilido qoftë ai”.
HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"