Kukësi- Pogradeci, sot ora 13:30/ Allamani kërkon fitoren në debutim, Vokrri i sheh liqenorët me profil pretendenti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2025 | 10:01

Kukësi- Pogradeci, sot ora 13:30/ Allamani kërkon fitoren në debutim, Vokrri i sheh liqenorët me profil pretendenti

Kukësi nis sot rrugëtimin për pjesën e mbetur të kampionatit në një përballje direkt dhe të vështirë ndaj Pogradecit. Verilindorët duan ta shfrytëzojnë në maksimum faktorin fushë dhe t’i bëjnë një nisje siç duhet kampionatit, pasi kanë shprehur ambicien për të qenë pjesë e gjashtëshes së parë.

kukesi

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para kësaj ndeshje, trajneri Alfred Allamani, e sheh si një sfidë të vështirë, por edhe pse me pak ditë në dispozicion shpreson që skuadra të bëjë më të mirën. “Aventura te Kukësi është një eksperiencë e mirë për mua dhe për këtë falënderoj drejtuesit që ma besuan këtë detyrë. Sa i përket ndeshjes, të jem i sinqertë është një përballje shumë e fortë. Me kaq pak ditë po mundohem që t’i ngulisë ekipit idetë e mia”, u shpreh fillimisht trajneri, që mori detyrën pas largimit të Çelës.

MERKATO – Në vijim, Allamani ndalet pak edhe te merkato, ku pranon se largimet kanë qenë të rëndësishme. Gjithsesi, ai zbulon edhe repartet për të cilat ka nevojë për përforcime dhe që klubi po punon për t’i afruar. “Kemi pasur largime të rëndësishme, por merkato është e hapur dhe pres gjithashtu afrime të rëndësishme. Skuadra në vazhdim duhet të kompletohet me një qendërmbrojtës dhe mbrojtës të djathtë. Gjithashtu, presim edhe një sulmues të huaj të na bashkohet këto ditë”, mbylli prononcimin e tij trajneri Allamani, i cili shpreson që skuadra të arrijë objektivat. Mbrëmë Kukësi ka prezantuar afrimin më të ri në ekip, pikërisht mesfushorin Irgen Hasanaj. 20-vjeçari vjen nga radhët e Dinamos dhe ka firmosur për 3 vite e gjysmë me verilindorët. Kukësi ka prezantuar edhe mesfushorin Rei Pecani, i huazuar nga Skënderbeu.  VLADIMIR MEMA

Mbrojtësi

Vokrri: Prisni një Pogradec me profil pretendenti në vijim

Afrimi i 6 futbollistëve ka shtuar dukshëm optimizmin në radhët e tifozërisë liqenore, ku shprehet për një Pogradec ndryshe në vazhdim.  Momentalisht, vëmendja është përqendruar në “Kukës Arena” ku sot, në orën 13:30 luajnë përballë Kukësit. Merkatoja në hyrje mbetet e hapur, pasi priten përforcime të tjera. Një fakt të tillë e bën të ditur për “Panorama Sport” administratori i klubit, Kopi Gusho. “Merkatoja e Pogradecit është e hapur dhe shpresojmë që në ditët në vazhdim të kemi ndonjë afrim tjetër. Për momentin jemi të përqendruar te ndeshja ndaj Kukësit”, u shpreh administratori i liqenorëve.

Silvio Vokrri- Mbrojtësi Silvio Vokrri ka kryer seancën e tretë me Pogradecin  dhe për “Panorama Sport”, 23-vjeçari pohoi se ndihet i kënaqur me zgjedhjen e bërë. “Zgjodha Pogradecin, sepse është një skuadër ambicioze dhe që kërkon të ngrihet më lart. Me përforcimet e bëra së fundmi, jam optimist se skuadra pogradecare do të ketë tjetër profil, atë të pretendentes”, tha fillimisht Vokrri. Në vijim të prononcimit të tij, ai pohon se me kontratën e nënshkruar mes palëve, mbrojtësi do të jetë pjesë e liqenorëve për një vit e gjysmë. Ende nuk dihet nëse ai do të jetë pjesë e formacionit anti-Kukësi. “Unë jam i gatshëm të luajë që në ndeshjen e parë, atë ndaj Kukësit. Këto janë zgjedhje të trajnerit dhe është ai që vendos për gjithçka”, shprehet në fund të komentit të tij mbrojtësi Vokrri. Ndeshja ndaj Kukësit zhvillohet për llogaritë e javës së 18-të dhe skuadra pogradecare mban vendin e gjashtë, në kuotën e 23 pikëve. NDERIM GOCI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"