Kukësi, sot për befasinë kundër Laçit! Trajneri Allamani: Do të bëjmë maksimumin
Kukësi do të sfidojë ditën e sotme në kupë skuadrën e Laçit në fushën e këtyre të fundit. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, tekniku i bluve, Alfred Allamani, pohon se e sheh si një seancë stërvitore për lojtarët e rinj, por thekson se ashtu si në kampionat do të japin maksimumin dhe se nuk do përdorin rotacion masiv.“Në kupë do ta konsideroja një seancë stërvitore shumë të mirë, pasi kemi lojtarë të rinj në ekip që duan ndeshje për të kapur një formë shumë të mirë. Kukësi në çdo ndeshje do të japë maksimumin si në kampionat apo edhe kupë. Do t’i besoj 70% të ekipit, pasi dy-tre titullarë shfaqën probleme të vogla në ndeshjen me Pogradecin. Do analizojmë me kujdes gjendjen e tyre dhe do vendosim më pas”, u shpreh fillimisht kreu i pankinës së Kukësit.
Në vijim, Allamani u ndal paksa edhe te kampionati. Ai beson se fitorja ndaj Pogradecit i ka dhënë më shumë besim dhe se duhet të dalin sa më parë nga zona e rrezikut.
“Ndeshja e parë në start është shumë e rëndësishme dhe për më tepër fitorja. Kjo, për faktin se ndodhemi në një pozicion jo shumë komod dhe na duhet të dalim me patjetër nga ajo zonë në renditje. Fitorja me Pogradecin na jep besim që të futemi me mentalitetin e duhur në ndeshjet e radhës”.
V.MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"