Kukësit i hapet oreksi pas fitores me përmbysje në Fier, tani synohet zona “play off”
Fitorja e fundit ndaj Apolonisë tregoi se Kukësit nuk i mungon potenciali, të paktën kundër skuadrave të të njëjtit nivel. Fitorja erdhi me përmbysje dhe trepikëshi u arrit në momentin e duhur, pasi kërkohej reagimi i skuadrës pas humbjes së thellë në shtëpi ndaj Vorës.
Reagimi kërkohej edhe për kalendarin e vështirë që kanë përpara. Një fitore, e cila mbi të gjitha bëri që të largoheshin paksa nga vendet e fundit dhe tani janë më të qetë për vazhdimin e kampionatit. Për herë të parë në këtë edicion, Kukësi është më pranë zonës “play off”, se sa dy vendeve të fundit, që të zbresin direkt nga kategoria. Më konkretisht, është vetëm tri pikë larg vendit të gjashtë që mbahet nga Pogradeci dhe 6 pikë nga Valbona që është e parafundit.
Duke parë se si hynë këtë kampionat, ku u mblodhën vetëm një javë para nisjes së tij, ecuria aktuale mund të cilësohet si pozitive. Në kampin verilindor presin që të grumbullojnë sa më shumë pikë deri në hapjen e merkatos së janarit dhe më pas do të nisin përforcimet, në mënyrë që të mos e diskutojnë mbijetesën, si dhe të arrijnë zonën e “play off” për ngjitjen në Superiore.
VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"