“Kukësit i kanë mbetur dhe 10 finale”, Tafas: Deri në fund për Europën, jemi transformuar në mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2023 | 19:13

“Kukësit i kanë mbetur dhe 10 finale”, Tafas: Deri në fund për Europën, jemi transformuar në mbrojtje

Kukësi luan të shtunën një finale të vërtetë, që mund të vlejë Europën, atë përballë Egnatias në “Kukës Arena”, ku do të synojë t’i arrijë në klasifikim rrogozhinasit.Collage Maker-31-Mar-2023-06-34-PM-1471

Një sfidë që në kampin verilindor i kanë dhënë seriozitetin e duhur dhe duan patjetër të dalin me një fitore, ndonëse nuk i pret një 90-minutësh i lehtë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, portieri Angelo Tafas, i rikthyer pak javë më parë në katërkëndëshin e Kukësit, pasi la pas dëmtimin e rëndë, e konsideron si një finale përballjen me rrogozhinasit, ashtu siç janë në fakt të gjitha sfidat e mbetura deri në fund. Ai ka një thirrje edhe për tifozët, që të vijojnë ta ndjekin skuadrën, siç kanë bërë këto javët e fundit, pasi janë një pjesë e rëndësishme e Kukësit.

“Normalisht që do të jetë një ndeshje e fortë, sepse Egnatia ka treguar se është një ekip i mirë me lojtarë cilësorë. Çdo fitore për ne është e rëndësishme dhe na kanë mbetur 10 finale deri në fund. E para nis me Egnatian dhe më pas do të shohim për të tjera. Luajmë në shtëpinë tonë dhe u bëj thirrje tifozëve që të vazhdojnë të ndjekin ekipin, pasi janë shumë të rëndësishëm për ne”, u shpreh fillimisht gardiani 22-vjeçar i Kukësit.

OBJEKTIVI – Tafas e pranon se synimi i një skuadre si Kukësi ka qenë gjithnjë pjesëmarrja në Europë, edhe këtë sezon, pavarësisht situatës që po kalojnë në kampionat. Megjithatë, ai kërkon të jetë me këmbë në tokë dhe të mos bëjë premtime, por fillimisht të largohen nga zona e ftohtë.

“Dihet që synimi ynë ka qenë gjithnjë Europa dhe përjashtim nuk bën as ky sezon. Por këtë vit, duke parë sesi është bërë kampionati shqiptar, mendojmë vetëm të vazhdojmë ecurinë pozitive. Fillimisht duhet të largohemi sa më parë nga zona e ftohtë dhe më pas të shohim rrugës”, vijoi më tej portieri i Kukësit.

Në ndeshjet e fundit skuadra e Kukësit po pëson më pak dhe ndihet më e sigurt në prapavijë. Sipas Tafas, e gjitha lidhet me filozofinë e stafit teknik dhe punës së mbrojtësve.

“Ka ndryshuar filozofia me ardhjen e trajnerit Hallaçi, pa harruar sigurisht edhe ndihmën e Shametit, bashkë me të gjithë mbrojtësit e ekipit”, mbylli prononcimin e tij për gazetën portieri i Kukësit, i cili këtë sezon është aktivizuar në 17 takime me verilindorët, në një kohë ku për disa muaj mbeti larg fushave për shkak të një dëmtimi të pësuar.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"