Kulmi i përgatitjeve, të kuqtë e Partizanit me disa dilema para derbit
Partizani është në kulmin e përgatitjeve për ndeshjen e së dielës kundër Tiranës në derbin e madh të kryeqytetit. Stafi po përpiqet të kurojë çdo detaj të mundshëm në lidhje me ndeshjen, teksa bashkë me lojtarët ka nisur edhe analiza taktike e kundërshtarit, si dhe përgatitja e manovrës taktike.
Trajneri Veselinoviç luan derbin e dytë të tij dhe tashmë e di mjaft mirë se çfarë e pret dhe çfarë masash duhet të marrë. Zgjedhjet e tij sa i përket formacionit vijojnë të jenë të kufizuara gjithsesi. Adnard Mehmeti nuk pritet të jetë i gatshëm për të luajtur, të paktën nga minuta e parë.
Tedi Cara nuk luan futboll prej thuajse tri javësh dhe aktivizimi nga minuta e parë mund ta rëndojë fizikisht, teksa Ismaili ka probleme me muskujt e barkut dhe mbetet në dyshim. Sakaq, edhe Andi Hadroj është shitur në Ukrainë dhe megjithëse operacioni nuk është zyrtarizuar, duket e vështirë që pukjani të luajë, edhe prej faktit se në dy muajt e fundit ka pasur probleme fizike.
Pjesa tjetër e skuadrës deri më tani gëzojnë shëndet të plotë dhe janë 100% gati për të luajtur derbin. Sa i përket formacionit, nuk pritet të ketë shumë ndryshime krahasuar me ndeshjen e fundit kundër Laçit.
Në mbrojtje ka një dyshim mes Domgjonit dhe Sembene, teksa nga minuta e parë priten Qirko, Bytyçi, Preka dhe Buxhelaj. Në mesfushë pritet e njëjta treshe me ndeshjen e shkuar, teksa në sulm Cara mbetet në dyshim dhe në vend të tij pritet Keko. Megjithatë, nuk përjashtohen surprizat nga ana e Veselinoviç.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"