“Kundër Laçit për fitore, duam të mbrojmë titullin e vjetshëm”/ Tetova: Egnatia e plotë, Fernando vlerë e shtuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2025 | 11:54

“Kundër Laçit për fitore, duam të mbrojmë titullin e vjetshëm”/ Tetova: Egnatia e plotë, Fernando vlerë e shtuar

Edlir Tetova kërkon ta nisë ashtu si duhet këtë vit. Përpara ka një detyrë të vështirë, sepse vjen pas një suksesi me fitimin e tripletës sezonin e kaluar, ndaj edhe pritshmëritë janë të mëdha.tetova

Në daljen para mediave në prag të ndeshjes me Laçin, që luhet sot në orën 13:30, tekniku durrsak pohon se gjendja e skuadrës është e mirë, por e sheh një sfidë të vështirë me kurbinasit. Si fillim, ai synon që të mbrojnë titullin me Egnatian, ndërsa nuk ndjen presion për vendin e katërt që mbajnë aktualisht në renditje. Sipas tij, e rëndësishme është që tani e tutje të mos ketë më gabime rrugës.

Tetova, riktheheni të luani pas pak ditëve pushim. Si e prisni?

Ditët e pushimit ishin shumë të pakta dhe kampionati kthehet shumë shpejt. Ndryshe nga ekipet e tjera që morën pushimet, ne vazhduam, sepse kishim edhe Superkupën. Megjithatë, nuk është problem, sepse kampionati prandaj është, për t’u luajtur dhe pushimet do të kemi kohë t’i bëjmë më mbrapa.

Si ndihet një kampion i trefishtë?

Kemi korrur atë punë që kemi bërë përgjatë dy viteve, të gjithë si skuadër, nga i pari i punës dhe deri te punëtori më i thjeshtë i klubit. Mendoj që kemi merituar gjithçka.

Si paraqitet gjendja e skuadrës përpara ndeshjes me Laçin?

Gjendja e skuadrës është shumë e mirë. Malota është i pamundur, gjithashtu edhe Aleksi me kartonë. Pjesa tjetër e ekipit është në rregull, edhe prurjet e reja janë të stërvitur dhe grupi është i plotë.

Çfarë prisni nga ballafaqimi me Laçin, të cilëve së fundmi i morët edhe portierin?

Është një ndeshje e vështirë për ne, për vetë faktin se takimin e kaluar në Laç nuk ishte një paraqitje e mirë e skuadrës sonë. Por mendoj se forca është, na duhet të ndjekim objektivat tona dhe të kemi vazhdimësi. Pres më të mirën nga djemtë nesër (sot).

A ju ka rritur më shumë moralisht për vazhdimin e kampionatit fitimi i Superkupës?

Nuk mendoj, sepse kampionati është një maratonë, ndërsa Superkupa një ndeshje teke. Sigurisht që na jep besim, tek ne, klubi dhe lojtarët. Por mendoj se ndeshja e kampionatit ndryshon.

Vitin e kaluar e mbyllët me tre trofe. Këtë sezon, cilat janë synimet?

Duhet të ruajmë titullin, kjo është kryesorja. Më pas, për çdo hap tjetër do të shohim në vazhdimësi.

Rikthehet Fernando, pritet të ketë lëvizje të tjera në merkaton e janarit?

Grupi është i plotë, thjesht kemi zëvendësuar shumë shpejt lojtarët që janë larguar. Fernando është një vlerë e shtuar e ekipit dhe e njeh mirë lojën e skuadrës sonë. Mendoj që do të na ndihmojë.

Cili repart ka më tepër nevojë për përforcime?

Siç e përmenda, grupi është i plotë dhe mendoj të bëj më të mirën me këta që kam në dispozicion.

Vendi i katërt në renditje ju vendos nën presion?

Absolutisht jo. Kemi pasur kurba si çdo ekip. Tani fillojnë e vështirësohen gjërat, nuk tolerohen më gabimet, duhet të jemi më të kujdesshëm dhe t’i shohim ndeshjet më me kujdes.

Në të gjitha anketat e bëra nga media si “Panorama Sport” e të tjera apo edhe Federata, keni dalë trajneri i vitit. Përgjegjësi apo vlerësim për punën e bërë?

Faleminderit, por ende nuk kam një njoftim zyrtar dhe të presim datën për të parë… Gjithsesi, për mua është kënaqësi. Nuk është përgjegjësi, por një fryt i punës që kemi bërë të gjithë. Nëse është e vërtetë kjo që thoni, çdo gjë i kushtohet Egnatias dhe lojtarëve.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"