Kupa e Shqipërisë, Agostineli nuk pyet për Besën: Flamurtari i vendosur për kualifikimin
Trajneri italian i skuadrës vlonjate, Andrea Agostineli, dëshiron që Flamurtari të ecë sa larg në Kupën e Shqipërisë. Kuqezinjtë luajnë sot përballë Besës në orën 13:00 në stadiumin e Vlorës dhe Agostineli e di mjaft mirë vështirësitë e kësaj sfide me kavajasit.
Rivaliteti mes dy skuadrave për 90 minuta do të zhvendoset nga kampionati në Kupë, por dihet që të dy klubet objektiv madhor kanë rikthimin në Kategorinë Superiore. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, trajneri Andrea Agostineli nuk e vendos në dyshim kualifikimin.
“Kupa është një kompeticion shumë i rëndësishëm për futbollin këtu në Shqipëri. Jemi shumë të interesuar për të bërë mirë edhe në këto ndeshje, krahas kampionatit. Ne duam që të ecim përpara dhe të shkojmë larg, sa më shumë të jetë e mundur. Jemi përgatitur maksimalisht për këtë takim dhe e kemi vlerësuar më së miri. Duam që ta kalojmë me sukses këtë takim dhe pastaj të mendojmë edhe për të tjerat. Normalisht, kjo ndeshje Kupe do të shërbejë edhe për t’iu dhënë më shumë minuta lojtarëve që nuk kanë patur mundësi të aktivizohen në ndeshjet e kampionatit. Kemi shumë elementë cilësorë në përbërje dhe që bëjnë diferencën. Të gjithë lojtarët i kam të rëndësishëm”, u shpreh fillimisht trajneri Agostineli.
KUNDËRSHTARI- Trajneri italian thotë se kundërshtari është i vështirë, pasi Besa është një rivale direkte në kampionat. “Ndeshja do të jetë e vështirë për shkak të kundërshtarit. Ju e dini shumë mirë se Besa është kundërshtari ynë direkt në kampionat, por ne duhet që kavajasve t’ua bëjmë të vështirë këtë takim. Kupën e luajmë në shtëpi, përpara tifozëve tanë dhe ata do të jenë një mbështetje për ne edhe në këtë përballje”, thotë italiani.
DËMTIMET- Idriz Batha dhe Fernando vijojnë të dëmtuar. Trajneri Agostineli ndalet edhe tek situata. ”Disa lojtarë i kemi me probleme fizike dhe uroj që ata të jenë gati shumë shpejt. Megjithatë, mendoj se i kemi të gjitha kapacitet dhe lojtarët që të japin më të mirën e tyre në çdo ndeshje që do të aktivizohen”, përfundon Agostineli.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"