Kupa, Kukësi-Pogradeci, sot ora 13:00/ Çela: Tentojmë të kalojmë raundin e dytë. Kastrati: Kualifikimi shkon për liqenorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2024 | 10:13

Kupa, Kukësi-Pogradeci, sot ora 13:00/ Çela: Tentojmë të kalojmë raundin e dytë. Kastrati: Kualifikimi shkon për liqenorët

Kukësi sfidon sot Pogradecin në Kupë dhe do të përpiqet ta kalojë të paktën edhe këtë tur. Ditët e pushimit janë shfrytëzuar nga verilindorët edhe për t’u përshtatur me mënyra të reja loje, që mund të vihen në shërbim të ndeshjeve në kampionat.

kukesi

Të paktën, kështu shprehet në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Emiljano Çela. Ai e pranon, se ekipi dëshiron që ta kalojnë këtë raund, teksa rezultatet e fundit kanë rikthyer qetësinë në skuadër. “Dy rezultatet e fundit në transfertë na kanë dhënë qetësinë dhe entuziazmin e duhur për të punuar mirë dhe për ta shfrytëzuar sa më shumë pauzën. Kjo, për të rikuperuar apo për t’u zhvilluar sa më shumë, qoftë fizikisht, por edhe në aspektin tekniko-taktik. Gjithashtu, edhe për sisteme dhe mënyra të reja loje që përpiqemi të implementojmë herë pas here. Është një ndeshje ndaj një kundërshtari direkt në kampionat që do ta shfrytëzojmë në maksimum për të treguar forcën tonë. Do të tentojmë ta kalojmë këtë raund”, u shpreh fillimisht tekniku i Kukësit.

VORA – Përpos Kupës, Kukësi ka një sfidë delikate në kampionat, aty ku do të presin pretendentët e Vorës. Çela ka besim te rezultati pozitiv, mjafton që gjithsecili të japë në fushë përtej limiteve të veta, për të zeruar edhe diferencat. “Me ekipet pretendente kemi pasur probleme. Janë ekipe të strukturuara mirë dhe me shumë lojtarë cilësorë, por ka ardhur një moment që kemi tashmë dy muaj që punojmë me këtë ekip. Mendoj se atë që kemi mangët në cilësi, jam i bindur që e plotësojmë më së miri nga ana fizike, mjafton të punojmë mirë në parime dhe të jemi të përqendruar. Gjithsecili ta çojë veten e tij në limite, në qoftë se arrijmë limitet dhe nuk trembemi nga ato, mendoj që mund të fitojmë ndaj çdo kundërshtari”, mbylli prononcimin e tij për gazetën kreu i pankinës blu.  VLADIMIR MEMA

 

POGRADECI

Kastrati: Do të kalojmë turin 

Ndeshja që do të zhvillohet sot në stadiumin “Kukës Arena”, ndaj Kukësit për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, shënon debutimin e trajnerit Ardian Mema në stolin pogradecar. Ndeshja miqësore e zhvilluar në fundjavën e kaluar ndaj Skënderbeut në Korçë, e ka ndihmuar trajnerin Mema, jo vetëm për të njohur ekipin, por dhe për ndërtuar filozofinë e lojës  për ndeshjet në vazhdim. “Ndeshja ndaj Skënderbeut na ndihmoi për të ruajtur ritmin e kampionatit. Loja e skuadrës ishte e mirë. Pavarësisht se një ndeshje miqësore, paraqitja e ekipit ishte në lartësinë e duhur”, shprehet për gazetën rreth këtij argumenti, mbrojtësi nga Drenasi, Endrit Kastrati.

Ky i fundit i është bashkuar skuadrës pogradecare në merkaton e verës së këtij viti. Ndeshja ndaj Kukësit, pavarësisht se zhvillohet për Kupë, ka marrë vlerësimin e lartë të liqenorëve. Në vijim të prononcimit të tij, mbrojtësi Kastrati shkon dhe më tej dhe thotë, se pavarësisht vështirësisë që mbart ndeshja në fjalë, liqenorët udhëtojnë drejt Kukësit për kalimin e turit të dytë. “Ndeshja me Kukësin është e rëndësishme, pasi ne dëshirojmë të vazhdojmë përpara, pra të kualifikohemi. Duke ditur se është një ndeshje teke, ajo ka vështirësitë e saj, por ne jemi optimistë se do ta kalojmë me sukses ndeshjen me Kukësin”, e mbylli prononcimin e tij mbrojtësi Kastrati. Përballja me Kukësin për këtë edicion futbollistik është e dyta për liqenorët. Në kampionat, në “Gjorgji Kyçyku”, në kuadër të javës së shtatë, skuadra pogradecare triumfoi me rezultatin 2-0, me golat e Danladit dhe Razës.  NDERIM GOCI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"