Kupa në Pogradec dhe kampionati në Shkodër, pingpongu mbyll garat
Federata e Shqiptare e Pingpongut zhvilloi dy aktivitetet e fundit kombëtare të kalendarit sportiv për vitin 2024. Fillimisht në Pogradec u mbajtën garat e Kupës së Shqipërisë për meshkuj dhe femra.
Një eveniment ku morën pjesë 14 ekipe: Tirana, Teuta, Elbasani, Tomori, Vllaznia, Akademia Gjikondi, Partizani, Përmeti, Skënderbeu, Flamurtari, Sopoti, Shoqata K.Malaj, Shoqata Kampionët dhe Shoqata Tirana Top Spin. Mbas ndeshjeve ne u përcaktuan edhe ekipet e fazës finale. Në radhët e meshkujve për trofeun u përballën Teuta dhe Tirana, teksa suksesi u takoi bregdetarëve të trajnerit Dritan Laska, të cilët triumfuan me rezultatin 3-2.
Ndeshjet e femrave u zhvilluan sistem rrethi, aty ku Teuta, me trajner Musa Tërniqin, i fitoi të gjitha takimet, duke kompletuar ngritur lart Kupën e Shqipërisë. Në vend të dytë u klasifikua Elbasani, ndërsa podiumi u plotësua me Tomorin në vend të tretë. Pas Kupës, ishte radha për Kampionatin Kombëtar Ekipor dhe Individual të moshave U-21, kompeticion që u zhvillua në Shkodër më datat 14- 15 dhjetor.
Kampion kombëtar ekipor për meshkuj u shpall Tirana, e drejtuar nga trajneri Jonuz Tufa, ndërsa titullin kampion individual e fitoi Kejdi Kalaja, sportist i Tiranës. Podiumi individual u plotësua nga Aron Koni në vend të dytë si dhe nga Ilia Kore e Redjon Ajdinaj në vendin e tretë. Për sa u përket vajzave, Teuta përsëriti suksesin e vitit të kaluar, si në rang ekipor gjithashtu edhe në atë individual me trofeun që shkoi për Samanda Agollin.
Fjona Xhani u klasifikua në vendin e dytë, ndërsa Eris Kokoneshi e treta. Me fundin e garave vjetore kombëtare, aktiviteti i radhës për pingpongun shqiptar do të jetë Mitingu i Podgoricës më datat 22-23 dhjetor. Shqipëria do të përfaqësohet me grup-mosha të ndryshme të mbështetura nga ekipet përkatëse.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"