“Kupën e vlerësojmë si kampionatin, koha të flasim në fushë me rezultate”. Pajaziti: Apolonia, gati ndryshimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2024 | 10:33

“Kupën e vlerësojmë si kampionatin, koha të flasim në fushë me rezultate”. Pajaziti: Apolonia, gati ndryshimi

Apolonia nuk e ka nisur mbarë sezonin dhe i duhet të dalë përkohësisht nga zona “e ftohtë” në renditje, veçanërisht pas ndeshjes në shtëpi me Burrelin. Më parë kanë Kupën, ku sot në orën 13:30 presin Këlcyrën.

SEDAT PAJAZITI APOLONIA

Një takim që konsiderohet si një mundësi e mirë për testuar të gjithë kontingjentin e lojtarëve që trajneri Pajaziti ka në dispozicion. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Apolonisë, Sedat Pajaziti, nuk ka dashur të nënvlerësojë aspak Kupën, teksa deklaroi se e çmon njësoj si kampionatin.

Sa ju shërbeu ndërprerja e kampionatit?

Ishte një pauzë që erdhi si shpëtim për ne, pasi na dha frymëmarrje. Na shërbeu edhe si kohë për t’u përmirësuar në çdo drejtim. Jemi stërvitur çdo ditë pa pushim për të qenë në lartësinë e duhur, si në Kupë dhe kampionat. Kemi analizuar shumëçka, jemi përgatitur mirë, kemi mbajtur lart moralin. Kështu që na mbetet të flasim në fushë duke marrë rezultate pozitive.

Kjo javë është e ngjeshur në dy fronte, sot është ndeshja e Kupës dhe pas pak ditësh java e tetë e kampionatit. A është gati Apolonia?

Jemi gati dhe të motivuar ndoshta më shumë se çdo herë. Kemi punuar në fushë dhe jashtë saj, sidomos nga ana psikologjike. Vetëbesimi është i lartë dhe përgatitja ka qenë në nivelin më të mirë. Po punojmë që të jemi më rezultativ. Fatmirësisht skuadra gëzon formë të mirë sportive dhe shpresojmë të marrim maksimumin në të dyja takimet.

Kundërshtari i Kupës është Këlcyra, që militon në Kategorinë e Dytë dhe kalimi i turit mund të quhet formalitet…

Futbolli është i paparashikueshëm dhe hera-herës surprizues. Pra, nuk ka kundërshtarë të lehtë, apo ta quajmë kalimin e turit formalitet. Mendoj se për ta kaluar këtë tur apo për ta fituar një ndeshje, cilido qoftë kundërshtari, duhet derdhur djersë dhe luftuar fort në çdo cep të fushës. Ne do t’ia bëjmë “hyzmetin”, pasi për ne Kupa është e rëndësishme sa kampionati. Do t’i vlerësojmë të dyja njësoj.

Sa i përket formacionit, a pritet rrotacion në Kupë?

Në ndeshjen e Kupës, sigurisht që do të ketë rrotacion për t’i dhënë mundësi futbollistëve që kanë më pak minuta në këmbë. Do të testojmë gjendjen e tyre, por e vlerësojmë maksimalisht Kupën e Shqipërisë. Më pas, në fundjavë presim Burrelin, një kundërshtar i fortë dhe i vështirë. Shpresojmë të marrim maksimumin në të dyja takimet. Për ne nuk do të ketë ndryshim vlerësimi mes Kupës dhe kampionatit.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"