Kur Anglia fitonte Kupën e Botës nga një asistent azer! 58 vite nga finalja e famshme dhe goli “fantazmë”
NGA UVIL ZAJMI
Korrik 1966-korrik 2024. Më shumë se një gjysmë shekulli nga vërshëllima e fundit e arbitrit zviceran, Dienst dhe deri tek ajo e francezit Leteksier në finalen Spanjë-Angli 2-1. Nga “Uembli” i Londrës në “Olympiastadion” të Berlinit. Dy finale, e para e Kupës së Botës 1966, ndërsa e dyta e Kampionatit Europian 2024.
Me Anglinë e historisë, vendin e lindjes së futbollit, me Premier League-n e famshme, e lojtarëve kolosë, emrave të mëdhenj, personaliteteve, klubeve me ngjarje, ndeshje epike dhe shoqëruar me plot trofe. Ndryshe me tre luanët. Vetëm një titull, ai kampion bote i fituar më 1966. Konkurrime, pjesëmarrje, por vetëm dështime, ashtu si edhe ky i fundit. Mbetet në fuqi, ende 1966 e famshme, finalja dhe golat e Hurst, si dhe vendimi i një arbitri-asitent, i cili i dha trofeun britanikëve. Më saktë, i një asistenti azerbajxhanas, Tofik Bahramov, falë flamurit dhe bindjes së tij se topi kishte kaluar vijën fatale të portës. Nuk kishte VAR në atë kohë dhe kësisoj, goli u konsiderua i rregullt.
1966, BOTËRORI I POLEMIKAVE
Nga mosnjohja e një gjuhe zyrtare, si anglishtja, sigurisht që komunikimi nga arbitrat ishte i vështirë. Një botëror që i pati të gjitha: që nga mosbindjet e lojtarëve në fushë, mungesa e kartonëve, si në takimin Angli-Argjentinë me Ratinin, ku pati për 12 minuta ndërprerje, pasi nuk dilte nga fusha; largimin e bujshëm të Italisë nga Koreja me golin e Pak Dok Ik, debutimi i Bekenbauerit, përjashtimi i sovjetikut Cislenko prej italianit Lo Bello, ndeshjen dramë Portugali-Kore, nga 0-3 në 5-3, lotët e Eusebios pas humbjes me Anglinë në gjysmëfinale, disfatën me Hungarinë, dëmtimi i qëllimshëm i Pelesë nga bullgarët dhe deri te largimi i brazilianëve nga Botërori.
Mbi të gjitha me ndeshje finale, 6 golat (tre nga Hurst), emocionet, spektaklin, 120 minutat dramatike që nuk kanë fund dhe kupa e dorëzuar nga mbretëresha Elizabet në duart e Bobi Murit, kapitenit që e ngriti lart në qiellin e “Uemblit”. Por si e kanë ndjekur në Shqipëri atë eveniment pasionantët e kohës, përballë atyre pak ekraneve të vegjël të televizorëve sovjetikë, të markave “Rekord”, të grumbulluar në ato apartamente aspak komodë të kohës. Disa e dëgjonin në radio dhe të tjerë që prisnin atë që do të botonte “Sporti Popullor” i kohës.
FINALJA DRAMATIKE DHE MINUTA E 101-TË
Ka qenë e shtunë 30 korrik 1966, kur Anglia do të fitojë titullin kampion bote, pas një finaleje të fituar 4-2 kundër Gjermanisë Perëndimore, të mbyllur me shumë polemika. Edhe sot 58 vite më pas, vazhdon të kujtohet ajo ndeshje për golin “fantazmë” dhe më të famshëm të të gjithë kohërave. Ai i realizuar nga Geoff Hurst dhe i vlerësuar si gol i rregullt nga asistenti Tofik Bahramov. Në skenën e “Uemblit” legjendar përballë Anglisë ishte Gjermane Perëndimore. 90 minuta dramatike dhe rezultati 2-2, me shënues Haller, Hurst, Piters dhe golin e mbrojtësit gjerman, Veber, në minutën e fundit. Në kohën shtesë, në minutën e 101-të, sulmuesi Hurst ka goditur nga brenda zonës dhe portieri Tillkovski nuk ka mundur të presë.
Topi godet pjesën e poshtme të traversës, përplaset në tokë dhe gol. Arbitri vazhdon lojën, Tillkovski e ma marrë topin dhe e ka larguar në vijën fatale dhe nëse ishte gol apo jo, i mbetej vendimit të gjyqtarit. Kanë shpërthyer polemikat, ka pretendime, protesta të lojtarëve anglezë, për topin që ka kaluar vijën e portës. Mes tensionit, arbitri zviceran Gottfried Dienst, ka vrapuar drejt asistentit Bahramov. Kanë folur, ndonëse në mungesë të një gjuhe komunikuese dhe është akorduar gol. Topi, sipas Bahramov ka kaluar vijën e portës, por fillimisht pjesën e poshtme të traversës. Është goli i tretë që i jep avantazhin anglezëve, për të vijuar edhe me të katërtin dhe përfundimisht 4-2. Kupa për Anglinë, trofeu i parë zyrtar, në të tilla turne ndërkombëtare. Falë një goli, me shumë diskutime, fantazi, akuza.
DYSHIMET PËR AZERIN DHE… BEKENBAUER
Një botë sportive dhe politike ka reaguar pas asaj finaleje. Ka dyshime që Bahramov ka gjetur mënyrën për t’u hakmarrë ndaj gjermanëve, që kanë eliminuar Rusinë në gjysmëfinale. Një korrespondent i “L’Equipe” ka komentuar: “Ata që flasin për një komplot të anglezëve në dëm të gjermanëve mund ta mbështesin këtë tezë me shifrat: në tre ndeshjet e fundit Gjermania ka luajtur kundër ekipeve me dhjetë dhe nëntë lojtarë: Argjentina me dhjetë (një i përjashtuar), Uruguai me nëntë (dy të përjashtuar) dhe Bashkimin Sovjetik me nëntë (një i plagosur rëndë, një i përjashtuar)”. Gjithashtu presidenti i FIFA-s ishte britaniku Stanlei Rous, i cili kishte arritur të ndikonte që organizimin e fazës finale të Kupës së Botës t’i besohej vendit të tij. Një tjetër akuzë ishte ajo e situatës, e konsideruar komplekse dhe banale në të njëjtën kohë.
Komplekse për shkak të kontekstit të marrëdhënieve ndërkombëtare që rëndonin dhe ngjarjet sportive në të njëjtën kohë. Pas 20 vjetësh nga fundi i luftës së dytë botërore, shtrirja reale e klimës së luftës së ftohtë për regjimin sovjetik, konsiderohej turp të ishte mundur nga Gjermania në gjysmëfinale, por edhe nga fakti lidhur me përgjysmimin Berlinit në dy qytete të ndara nga një mur fizik dhe ideologjik. Sipas një versioni, dikush i thirri nga tribuna Bahramovit: “Mos harroni Stalingradin!”, duke iu referuar rrethimit nga gjermanët në Luftën e Dytë Botërore. Një version pak i besueshëm, sepse arbitri azerbajxhanas nuk kuptonte anglisht.
Një tjetër opinion thotë se Bahramov iu përgjigj tifozëve gjermane, duke përmendur Stalingradin, por që pranohet pasi asnjë lojtar nuk e ka konfirmuar ndonjëherë këtë fakt. Ndërsa një variant i tretë thotë se ishte trajneri gjerman, Helmut Shën, ai që u përpoq të qetësonte lojtarët e tij, duke u kujtuar atyre se ata po luanin kundër Anglisë dhe se arbitri i vijës ishte sovjetik dhe Gjermania e kishte humbur luftën. Dhe për këtë arsye, trajneri u kujtoi që në vend që të protestojnë, të heshtin. Në disa video pas ndeshjes shihet edhe një përkëdhelje që Franc Bekenbauer i ka dhënë Bahramovit në pjesën e pasme të kokës, si për t’i thënë: “Faleminderit, prej jush e kemi këtë fat?”. Nisur nga episodi i golit fantazmë në “Uembli”, u bë nxitje për Bordin Ndërkombëtar të Shoqatës së Futbollit për t’u hapur ndaj teknologjive në raste të këtij lloji, të asaj historie që u kthye në çështjen e gol ose jo gol.
RRESHTERI, LOJTARI DHE ARBITRI BAHRAMOV
Tofik Bakhramov nuk ishte rus. Ai ishte në fakt azerbajxhanas dhe arbitër ndërkombëtar që nga viti 1964. I lindur në Baku në vitin 1926, në moshë të re ai kishte qenë futbollist dhe në vitet e fundit të luftës ishte rekrutuar me gradën rreshter në Ushtrinë e Kuqe; pasi kishte rifilluar aktivitetin, ai kishte pësuar një dëmtim të rëndë në këmbë, i cili e kishte shtyrë të ndiqte karrierën e arbitrit, ku vazhdonte në mënyrë të përhershme të arbitronte ndeshjet në kampionatin e Bashkimit Sovjetik. I përzgjedhur nga federata e tij si arbitër në Kupën e Botës 1966, ai drejtoi Spanjë-Zvicër në fazën eliminatore, duke anuluar golin e barazimit për zviceranët.
Një debutim i pasigurt për të, që u pasua në mënyrë të papritur, bashkë me çekosllovakun Karol Galba (i cili kishte arbitruar pa debate Uruguai-Francë 2-1 në grupe), si asistentë ndihmës të zviceranin Gottfried Dienst në finalen e Londrës. Kujtojmë që në ato vite arbitri kryesor kryente edhe rolin e asistentit, si dhe e kundërta. Pas ndeshjes nga të gjithë u mendua se karriera e Tofik Bahramovit përfundoi në ditën e rrëmujës së “Uemblit”. Por jo! Pasi Bahramov, një arbitër me njohje, përvojë dhe eksperiencë gëzonte mbrojtje të rangut të lartë. Vendimi që mori atë pasdite në Londër u dëshmua të ishte fati i jetës së tij. Jo vetëm që ai fitoi një çmim nga Mbretëresha Elizabet, për “shërbimet e tij ndaj Anglisë”, por zyrtarët ndërkombëtarë të futbollit e urdhëruan atë të gjykonte gjysmëfinalen e Kupës së Kampioneve vitin e ardhshëm, gjysmëfinalen e Kupës Europiane 1968 mes Mançester Junajtid dhe Real Madrid në “Old Traford” (1- 0, gol nga Xhorxh Best).
Një tjetër ndeshje në Kupën e Botës 1970 (Peru-Marok 3-0), ndeshja e parë e Kupës UEFA 1972 midis Totenhem dhe Volverhampton dhe më në fund ndeshja e parë e Kupës Ndërkontinentale ndërmjet Ajaksit dhe Independientes, e luajtur më 6 shtator 1972 në Avellaneda, në të cilën Bahramov nuk ishte në gjendje t’i jepte fund lojës së vështirë të argjentinasve. Ishte minuta e 27-të, një “potada” (një zympo, në zhargonin e tifozëve gauço) nga Dante Mircoli, argjentinas i natyralizuar italian, që i ishte përkushtuar lojtarit Johan Krujf, e detyroi këtë të fundit të mbyllte ndeshjen, pasi kishte shënuar golin e parë në minutën e 6-të. Gjatë intervalit, lojtarët e kampionit holandez nuk donin të ktheheshin në fushë në shenjë proteste dhe vetëm falë bindjes së trajnerit të tyre, Stefan Kovaç, ndeshja përfundoi 1-1, me argjentinasit që barazuan në të 82-ën minutë.
Por çështja pati një pasojë, sepse pasi mposhti kundërshtarët 3-0 në finalen e dytë, Ajaks vendosi të mos merrte pjesë në kompeticion vitin e ardhshëm. Me pak fjalë, një karrierë arbitri e nivelit të mirë, por e njollosur nga episode të dyshimta, që tregonin mungesë të qartë autoriteti. Pasi mbaroi aktiviteti i tij në fushë, Bahramov u ngjit në rangjet drejtuese, fillimisht në Federatën Sovjetike të Futbollit dhe më pas, pas rënies së regjimit, në atë të Azerbajxhanit, nga i cili, në kohën e vdekjes së tij në 1993, mbante postin e sekretarit të përgjithshëm. Ngjarja në “Uembli” i dha atij mirënjohjen e pavdekshme të anglezëve, ndërsa në vendin e tij u bë një hero i vërtetë kombëtar. Në kujtimet e tij, në librin autobiografik, ai shkruan se e mbante mend atë episod kështu:
“Nuk e pashë pikën ku topi u hodh, por gjithsesi isha i bindur se ai ishte rikthyer në fushë, pasi ka prekur rrjetën dhe jo traversën”. Pra, ai nuk e pa, por vendosi me siguri në vetvete. Nëse e rishikojmë veprimin me shpejtësinë e televizionit, vërejmë të paktën pesë gjëra:
* Bahramov është pak mbrapa në vijën anësore dhe nuk ndjek pozicionin e mbrojtësit të fundit gjerman, numrit 2, Horst-Dieter Hoettges, që mbante në lojë anglezin Alan Ball, autor i krosimit për Hurst. Pra, nuk ndodhet në vijë të drejtë, por në një pozicion diagonal në çastin kur topi godet nën traversë dhe më pas në tokë.
* Lëvizja e topit është shumë e shpejtë dhe e vështirë për t’u parë nga arbitri Dienst, i cili drejtohet drejtpërdrejt me iniciativën e tij dhe jo me kërkesë të lojtarëve gjermanë, ndonëse anglezët në fillim duket se kanë frikë që goli nuk do të konsiderohet i rregullt. Kjo nga fakti se ka një pluhur gëlqereje që ngrihet kur topi bie në vijën e portës, siç pretenduan menjëherë gjermanët.
* Dialogu, më shumë me gjeste se sa me fjalë, mes Dienstit dhe Bakhramovit karakterizohet nga vendosmëria e këtij të fundit për të treguar pikën e mesfushës. Me dyshime të shumta që ngjalli menjëherë dhe që nuk patën asnjëherë fund. Për tridhjetë vjet secili mbeti i mendimit të tij derisa në vitin 1995 Universiteti i Oksfordit, i cili njihet me profesorët e tij, për kërkimet e tij shumë serioze, u angazhuan për të shmangur, larguar përfundimisht të gjitha dyshimet. Me përdorimin e teknologjive të sofistikuara, atë që mund të kuptohet me sy të lirë falë kamerës konstatuan se topi i kuq nuk e kishte kaluar vijën e portës dhe se goli ishte i parregullt. Në fakt, ashtu siç e kishte menduar gjithmonë e gjithë bota jo-ishullore.
Nga Bakramov te Hurst
Tofik Bakhramov kishte fatin të mbyllte sytë përgjithmonë përpara vendimit teknologjik dhe solli me vete besimin e tij të fortë dhe të verbër, se ai kishte të drejtë. Megjithatë, në vitin 2006, Sir Geoffrey Charles Hurst do të përsëriste: “Arbitri nuk mundi të ndiqte trajektoren e topit dhe atë e bëri Bahramov. Gjithçka ndodhi menjëherë – topi kaloi vijën e portës, goditi tokën dhe doli përsëri. Me fjalë të tjera, shumë njerëz nuk mund ta shihnin atë. Të gjithë shikuan gjyqtarin, duke pritur vendimin e tij. Arbitri ishte i hutuar, por Tofik Bahramov ishte i bindur se ishte gol. Ai mori një vendim krejtësisht të saktë. Ky qëllim më vonë u analizua në kompjuterë dhe mësë shumti u mbështet Bahramov. Ato momente emocionuese, ishin të destinuara për të hyrë në histori”.
HURST DHE TILKOVSKI / Nga Londra në Baku, takim pas gjysmë shekulli
Fakti është se si në Angli ashtu edhe në Baku, Tofik Bahramov vazhdon të jetë një objekt nderimi. Në Azerbajxhan, fama e tij ndërkombëtare respektohet falë atij goli dhe bujës së madhe, që rezultoi se prej atij veprimi e kthye vëmendja ndaj futbollit azerbajxhanas. Nuk është rastësi që stadiumi kombëtar në Baku u emërua në kujtim të tij në vitin 2005, duke u njohur “Tofik Bakhramov”.
Një vit më pas, me rastin e 100-vjetorit të ndeshjes së parë të futbollit të luajtur në tokën azere, Josef Blatter dhe Mishel Platini bënë një vizitë në Baku. Një statujë që përshkruan Tofikun me uniformë, bilbil dhe krah të shtrirë për të ndëshkuar, u zbulua më 6 qershor 2006 në prani të Geoff Hurst dhe Hans Tilkovskit, portierit të ekipit kombëtar gjerman në finalen e “Uemblit”. Për 40 vjet, të dy kishin debatuar në distancë, pa u takuar ndonjëherë, të vendosur në pozicionet e tyre përkatëse: historianët do të flisnin për një kujtim të pandarë. Sep Blater ndërhyri për t’i pajtuar ata në emër të Bahramovit. Azerët e pritën si mit Hurstin, ndërsa ai deklaroi:
“Në Eropë nuk ka shumë federata që mund të mburren me një histori 100-vjeçare. Azerbajxhani nuk është një tokë e çuditshme për mua, sepse është atdheu i mikut tim Bahramov”. Ka qenë e shtunë, 30 korrik 1966 dhe deri tek e diela, 14 korrik 2024, kanë kaluar 58 vjet, më Anglinë pa asnjë titull dhe kupë të fituar. Mbetet në fuqi goli i aprovuar nga Bahramov, në mesditën e atij fund korriku në “Uembli”, që i dha trofeun britanikëve. Ai është i pari dhe i fundit. Me protagonist: Hurst, ish-goleadorin e Uest Hem, sot 82-vjeçar dhe një arbitër-asistent azerbajxhanas, Tofik Bahramov. Pa praninë e teknologjisë moderne!
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"