“Kurbinasit, të ashpër dhe agresivë”, Zabërgja: Laçi, si finale për Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 11:54

“Kurbinasit, të ashpër dhe agresivë”, Zabërgja: Laçi, si finale për Dinamon

Me humbjen ndaj Partizanit, Dina mo humbi edhe vendin e 4-t në renditje, për shkak të bilancit negativ që ka në ndeshjet direkt me Tiranën rivale. Kjo e fundit në fundjavë luan derbin me Partizanin dhe një fitore e mundshme e bluve ndaj Laçit do të kishte vlera të mëdha, nëse rivalët ndalen.

ZABERGJA

Llogaritë për të shkuar në “Final 4” tani bëhen me laps në dorë, por asnjë llogari nuk vlen, nëse Dinamo nuk fiton ndeshjet e saj, duke nisur nga ajo e së shtunës me Laçin, që luhet në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 18:00. Në kampin dinamovit ky 90-minutësh është vlerësuar si një finale e vërtetë, edhe pse më pas janë edhe 3 ndeshje të tjera.

ZABËRGJA – Baton Zabërgja, një nga sulmuesit e Dinamos që i ka shënuar Laçit në ndeshjet e mëparshme, pasi e vlerëson këtë kundërshtar, thekson se skuadra kryeqytetase i ka mundësitë ta kalojë me sukses këtë pengesë. “Vijmë nga ajo humbje në derbin me Partizanin dhe humbja gjithmonë dhemb, por nuk ka kohë për të menduar për të. Përpara kemi Laçin, një kundërshtar shumë i vështirë, por jo i pakalueshëm mendoj. Laçi është një ekip që dallon për futbollin pak të ashpër që luan, për futbollin agresiv, por ne kemi objektivin tonë vetëm për ta fituar këtë ndeshje. Kemi ardhur në këtë pikë të kampionatit, ku pikët kanë rëndësi shumë të madhe dhe do të përpiqemi me të gjitha forcat që të mos gabojmë.

Për mendimin tim, është si një ndeshje finale, nga ato që quhen për “jetë a vdekje”. Kam besim se do të dimë ta kalojmë këtë pengesë të vështirë. Luajmë në një fushë të mirë, siç është ajo e Elbasanit, ku kemi zhvilluar edhe ndeshje të tjera. Skuadra është përgatitur mirë gjatë javës dhe ko na jep besim. Kemi edhe ndonjë mungesë, por nuk ka asnjë justifikim. Dinamos i duhet vetëm 3- pikëshi për të vazhduar objektivat që ka klubi”, është shprehur Zabërgja për “Panorama Sport”. Sulmuesi kosovar ka shënuar 5 gola me fanellën blu gjatë këtij kampionati.

“FINAL 4” – Për garën e fortë në lidhje me pjesëmarrjen në “Final 4”, titullari i Dinamos thotë me besim se shanset janë të mëdha që Dinamo të mos mungojë në ndeshjet shtesë. “Them se kemi mundësi reale për të qenë në “Final 4”. Dinamo ka bërë një sezon të mirë, pavarësisht disa ulje-ngritjeve, që i ka çdo ekip në një sezon të gjatë. Kemi ardhur në një pikë, ku jemi shumë afër 4-shes së parë, jemi me pikë të barabarta me Tiranën, dhe nuk ka pse të mos jemi aty në fund. Na duhet të vlerësojmë si duhet këto 4 ndeshje që kanë mbetur nga kampionati i rregullt, duke u fokusuar së pari te Laçi. Me përqendrim maksimal dhe besim në vetvete mendoj se do të shkojmë aty ku duam të gjithë. Shpresoj të kemi edhe pak fat në këtë pjesë shumë të rëndësishme të sezonit”, ka theksuar Zabërgja, një nga ata lojtarë që sakrifikojnë më shumë në fushë.

Blutë shpresojnë që në fundjavë ta shikojnë veten para Tiranës, por po ashtu janë të vetëdijshëm se duhet të rikthehen te fitorja.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"