“Ky është ekipi më i mirë i 3 viteve të fundit”, Ferko: Flamurtari luan vetëm në fushë dhe ngjitet në elitë
Flamurtari ka larguar dy mesfushorë në merkato. Paulo Pjeshka është huazuar te Korabi, ndërsa Ali Adem, duke mos gjetur hapësira në Vlorë ka mbyllur bashkëpunimin për t’u kthyer në Maqedoninë e Veriut.
Alfred Ferko, drejtori sportiv i Flamurtarit, është i bindur tek arritja e objektivit. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Ferko thotë se kjo është skuadra më e mirë që ka pasur Flamurtari në vitet e fundit. Çdo ndeshje të mbetur e cilëson të vështirë, por thekson se çdo gjë varet nga këmbët e lojtarëve.
Ferko, si ishte minifazë përgatitore dimërore për Flamurtarin?
Ishte kohë e mjaftueshme, pavarësisht se një fazë e shkurtër përgatitore. Lojtarët i kemi gati për në vazhdim.
I kënaqur me afrimet e janarit?
Skuadra është forcuar edhe më shumë me tre lojtarë mjaft të rëndësishëm, si Telushi, por edhe Ahmetaj dhe Janku. Vlerat e tyre dihen të gjitha. Kështu që, ekipi është gati dhe më i fortë për ta vazhduar punën dhe për të vijuar atë rrugëtim që ne do ta kurorëzojmë me Superioren. Jam i sigurt për këtë.
Merkato, vijon të jetë e hapur, apo…?
Çfarë ka kërkuar trajneri ia kemi plotësuar. Të shohim nëse do të kemi më afrime. Kemi kohë deri më 31 janar dhe do t‘i shohim gjërat me kujdes. Ekipi është i plotë dhe janë dy formacione të njëjta.
Si drejtor prej disa vitesh, çfarë ka ndryshe te skuadra e këtij viti?
Në këto tre vite, ky është ekipi më me kualitet. Një ekip me shumë dëshirë, jo se vitet e tjera nuk ka pasur skuadër të mirë. Lojtarët që kanë ardhur në këtë sezon janë vërtetë të një niveli shumë më të lartë se dy vitet e kaluara.
Si e vlerësoni atmosferën në ekip?
Shikojmë një atmosferë shumë të mirë dhe pozitive në stërvitore dhe te vetë lojtarët gjatë javës. Është një grup i fortë, që ka entuziazmin dhe dëshirën që të fitojë, por edhe të luajë futboll të bukur.
Cilët janë rivalët e Flamurtarit?
Rivalë janë të gjithë. Dua të theksoj se të gjitha skuadrat i kemi respektuar, sikundër na kanë respektuar. Patjetër që do t’i respektojmë deri në fund, por në të mirë dhe në të keq ne do të jemi gjithmonë vetvetja. Shpresoj se të gjithë do të jemi për të mirë dhe për një kampionat sa më të bukur dhe dinjitoz.
Ndeshja e radhës me Pogradecin…
Nuk ka ndeshje të lehta, por ndeshjet të lehta dhe të vështira i bëjmë vetëm ne. Janë këmbët tona që do të vendosin fatin e kampionatit.
Keni frikë se mund të luhet jashtë fushës?
Ato gjëra kanë ndodhur dhe mund të ndodhin, por nuk na intereson. Ne kemi luajtur në fushë dhe në fund do të jemi ne që do të jemi ndër dy ekipet e para për Superioren.
Jeni të bindur se do ta arrini këtë objektiv?
Ne jemi të përgatitur për fazën e dytë. Objektivi është i njëjti nuk ka ndryshuar, ngjitja në Superiore.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"