“Ky është viti ynë, po e shijoj momentin e mirë në Vlorë”. Shkurtaj: Flamurtarit i premtoj ngjitjen në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2025 | 15:59

“Ky është viti ynë, po e shijoj momentin e mirë në Vlorë”. Shkurtaj: Flamurtarit i premtoj ngjitjen në elitë

Vasil Shkurtaj ishte heroi i Flamurtarit në ndeshjen me Korabin, me dy golat e tij vendimtarë, që e shkëputën tri pikë nga kundërshtari i vendit të tretë, Besa e Kavajës. Super-paraqitja e tij në këtë takim, tregon formën e mirë të sulmuesit, i cili tashmë ka lënë pas dëmtimin.

SHKURTAJ

Vlonjati luan që nga janari i vitit 2024 për kuqezinjtë, ndërsa ka pasur eksperienca në Shqipëri në skuadra si Luftëtari, Kukësi dhe Laçi. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Shkurtaj thotë se po e shijon aventurën në qytetin e tij të origjinës. 32-vjeçari vlerëson ambientin në klub, përkushtimin e drejtuesve, si dhe cilësitë në skuadër. Ai premton maksimumin që ta rikthejë Flamurtarin ku e ka vendin dhe nuk e diskuton aspak ngjitjen këtë sezon në Superiore.

Shkurtaj, shënuat dy gola në ndeshjen me Korabin dhe duket se po e merrni “për dore” Flamurtarin. Si ndiheni për momentin?

Unë jam vlonjat, pavarësisht se jam lindur dhe rritur në Greqi. Kam luajtur me ekipe të tjera në Shqipëri, por me Flamurtarin është hera e parë që luaj. Kam ardhur që sezonin e shkuar këtu në Vlorë. Te Flamurtari unë kam zemrën, sepse është ekipi i qytetit tim. Nuk mund të them se edhe në ekipet e tjera, ku kam luajtur nuk kam kaluar mirë, pasi edhe te ato kam dhënë maksimumin dhe kam qenë shumë i respektuar. Por, kur flitet për Flamurtarin ndryshon puna. Unë e shijoj vërtetë këtë moment që po luaj për Flamurtarin, si dhe i shijoj shumë edhe ata dy gola që shënova në ndeshjen kundër Korabit.

Cili është vlerësimi juaj për këtë skuadër?

Kemi një ekip shumë të mirë. Lojtarët që janë në organikën e skuadrës janë shumë cilësorë. Unë besoj shumë se ky është viti ynë. Flamurtari duhet të ngjitet në Superiore.

Pse mendoni se ky është viti i Flamurtarit?

Duam Superioren. Ky është objektivi dhe synimi ynë, i drejtuesve të klubit, stafit teknik dhe detyra jonë si futbollistë që ta çojmë Flamurtarin aty ku e ka vendin, mes skuadrave më të mira të futbollit shqiptar. Këtë gjë po e presin me padurim edhe tifozët. Ne premtojmë se do të bëjmë të pamundurën për të arritur këtë objektiv madhor.

Si është atmosfera te Flamurtari në nisje të vitit 2025?

Ambienti është shumë i mirë. Ekipi është fantastik. Gjithashtu, trajneri Andrea Agostineli është një profesionist, pastaj presidenti Sinan Idrizi është shumë i përkushtuar. Ai na jep përkrahjen dhe mbështetjen e duhur. Jemi një ekip që i kemi të gjitha kushtet për të arritur këtë objektiv që kemi.

Personalisht, çfarë premtoni për këtë skuadër?

Unë premtoj ngjitjen në Superiore. Asgjë më shumë se kaq.

Sa i bindur jeni se do ta arrini këtë objektiv?

Të jenë të sigurt, që ne të gjithë këtu do të japim 100%-shin tonë. Do të bëjmë maksimumin dhe të pamundurën, që në fund të sezonit t’ia dalim me sukses dhe të realizojmë objektivin madhor.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"