Laçi gjen fitoren e parë me trajnerin italian. Moriero: Mbijetesën e harrojmë shpejt, ja si ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2024 | 13:23

Laçi gjen fitoren e parë me trajnerin italian. Moriero: Mbijetesën e harrojmë shpejt, ja si ia dalim

Laçi gjen fitoren e parë, por bëhet fjalë në një ndeshje miqësore, ku të shtunën mposhtën Valbonën në shifrat 1-0. Kurbinasit fituan me golin e brazilianit Melo në debutimin e trajnerit të ri, Françesko Moriero.

Foto/ P. Gjikola

Foto/ P. Gjikola

Gjithsesi, prezantimi zyrtar i trajnerit italian do të vijë fundjavën që vjen, ku Laçi pret Vllazninë për llogari të javës së nëntë të Superiores. Ndeshja miqësore me tropojanët nisi e ngadaltë, por nën kontrollin e kurbinasve. Pas disa minutash lojë kryesisht në mesfushë, Laçi mori iniciativën dhe vihet në kërkim të golit. Me kalimin e minutave edhe Valbona mundohet dhe krijon rastet e saja, por pa mundur që të rrezikojë seriozisht. Pas disa aksioneve të ndërsjellta dhe ndonjë rasti sporadik vjen goli për Laçin. Minuta 34, sulm i kurbinasve dhe topi shkon te Nikolas, ky e dërgon tek Melo, i cili duke shfrytëzuar daljen e gabuar të portierit Markut e dërgon topin në rrjetë dhe 1-0 për kurbinasit. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë. Fraksioni dytë nis i shpejtë, ku të dy ekipet vihen në kërkim të golit. Janë disa minuta të mira për tropojanët, por portieri Dajsinani mbetet i pamundur. Pas minutës së 60-të nisin ndërrimet e shumta, çka ndikoj në rënien e ritmit të lojës. Përpos rasteve nga të dy ekipet, i gjithë takimi u mbyll në shifrat 1-0.

Trajneri Moriero- Trajneri italian e nisi me fitore aventurën te Laçi dhe pas testit me Valbonën, për “Panorama Sport” Françesko Moriero u shpreh: “Për mua ishte prova e parë si trajner i Laçit, ndaj nuk mund të jem plotësisht i sakët në koment. Gjithsesi, si fillim jam optimist. Ekipi po stërvitet normalisht, lojtarët kanë punuar edhe dy herë në ditë duke marrë ngarkesat e nevojshme. Për mua në ndeshjet miqësore nuk kanë rëndësi shifrat, fitoret apo humbjet, por paraqitja e ekipit dhe e futbollistëve si individ”. Pyetjes se e mori Laçin në vend të fundit dhe a është optimist për mbijetesën, Moriero u përgjigj:

“Duhet të jemi realist. Sot futbolli është shumë i shpejtë, ndaj nuk të lë që të mendohesh gjatë. Duhet të kesh plan konkret në kokë dhe punë intensive në terren. Besoj se hap pas hapi do të ngjitemi lart, për ta harruar mbijetesën”. Sa i përket duelit me Vllazninë, trajneri italian tha: “Me të vërtetë ndeshja e radhës, që është e para zyrtare për mua, konsiderohet e vështirë, pasi do të jemi përballë ekipit pretendent për titull. Duke menduar se deri atë ditë kemi kohë në dispozicion, unë jo vetëm që do të punoj, por edhe do të qartësohem dhe do të familjarizohem me ekipin. Grupi aktual dhe merkato? Është shumë herët për mua që të mendoj për merkaton. Më duhet ta shikoj ekipin në disa ndeshje atëherë mund të mendoj për këtë”.

LAÇI-VALBONA 1 – 0

GOLI: Melo 34′

LAÇI: Dajsinani, Lleshi, Opeh, Papa, Mjaki, Tresa, Nikolas, Melo, Prodani, Manellari, Kristiani. (U aktivizuan: Bocka,  Taleb, Ballhysa, Bibo, Cena, Nusuev, Traore,  Ajazi, Bullari). Trajner: Françesko Moriero

VALBONA: Marku, Mashi, Farruku, Lala, Kovaçi, Berberi, Kamilo, Laval  Uesli, Vidrica, Balla. (U aktivizuan: Llanaj  Alinani, Udo, Jetishi, Aluku, Doçi, Kueceno). Trajner: Emiliano Gega

Karton i verdhë:  Bibo 50′

Gjyqtarë: A. Stolaj, E. Shehu, K. Shehu

PRENG GJIKOLAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"