Laçi kthehet në “fortesë”, shans i artë për ta parakaluar Skënderbeun
Që me ardhjen e trajnerit Françesko Moriero, Laçi ka bërë një ndryshim të madh në aspektin e rezultateve. Trajneri italian pësoi humbjen e parë në ndeshjen e fundit me Partizanin kryesues, ndërsa më parë ka qenë i pathyeshëm, duke rikuperuar jo pak pikë në renditje.
Forca më e madhe e kurbinasve në këtë periudhë ka qenë në ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, ku ata kanë mundur kundërshtarë me kualitet, si Vllaznia dhe Egnatia, ndërkohë që kanë barazuar me Elbasanin. Nga 9 pikë të mundshme në tri ndeshjet në fushën e tij me Morieron në stol, Laçi ka marrë 7. Dhe kjo do të thotë se Skënderbeu është i paralajmëruar. Laçianët e shohin ndeshjen e nesërme si mundësinë e artë për të bërë parakalimin e një rivali direkt.
Nëse fitojnë kundër Skënderbeut, ata për herë të parë këtë sezon do ta shikonin veten jashtë dyshes së fundit të renditjes, që të rrëzon direkt një kategori më poshtë. Forma e kurbinasve është mjaft e mirë, u pa edhe në sfidën me Partizanin, pavarësisht humbjes. Laçi ishte në lojë deri në sekondat e fundit. Me Skënderbeun do të jetë një ndeshje tjetër, që Moriero dhe të tijtë duan ta kalojnë me sukses të plotë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"