Laçi mbjell barin e fushës, me Vllazninë mund të luhet jashtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2024 | 17:38

Laçi mbjell barin e fushës, me Vllazninë mund të luhet jashtë

Në pikë kritike për pikë, Laçi me Françesko Morieron në debutim, mund ta spostojë ndeshjen e 19 tetorit jashtë “strehës” së tij. Mësohet se shkaku është rimbjellja e barit të fushës së stadiumit “Laçi”, e cila i bashkohet disa impianteve të tjera në “kultivim” stinor.

Stadiumi i Laçit

Foto ilustruese/ Stadiumi i Laçit

Gjithsesi, ndryshe nga stadiumet e tjera, fusha e Laçit është integruar shumë mirë gjatë këtyre ditëve dhe drejtuesit shpresojnë ta kenë gati deri të shtunën, në rast të kundërt do të duhet të gjejnë një fushë tjetër, me shumë mundësi në Tiranë, ku “Arena e Demave” është një opsion.

Megjithatë ende nuk ka asgjë zyrtare. Laçi-Vllaznia e vlefshme për javën e nëntë të Kategorisë Superiore, ka si start orën 14:00 të datës 19 tetor.

MISIONI – Laçi është skuadra e vetme që nuk e ka provuar ende shijen e fitores në këtë sezon. Nën drejtimin e Cungut bardhezinjtë regjistruan vetëm tre barazime dhe pesë humbje, duke “u zhytur” në vendin e fundit me vetëm tri pikë të grumbulluara. Sulmi duket se është problemi më i madh që trajneri Moriero do të duhet të përmirësojë. Në tetë ndeshje Laçi ka shënuar vetëm 4 gola, që janë tmerrësisht pak.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"