Lajme shkurt nga skuadrat e Kategorisë së Dytë, pjesëmarrëse në turin e parë të Kupës së Shqipërisë
Luftëtari do të luaj sot në Pogradec për llogari të turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Administratori i ekipit gjirokastrit, Fotis Kristidhi, për “Panorama Sport: në prag të kësaj sfide u shpreh: “E respektojmë këtë takim të Kupës dhe si një ndeshje zyrtare do të japim më të mirën në fushën e lojës.
Do të paraqitemi me seriozitetin e duhur dhe për të dhënë më të mirën si ekip. Ky takim do t’i shërbejë Luftëtarit edhe si një ndeshje kontrolli për të bërë korrigjimet e nevojshme, për faktin se jemi përqendruar në ndeshjet e kampionatit me të vetmin objektiv, ngjitjen në Kategorinë e Parë. Kupa nuk është objektivi ynë dhe nuk pretendojmë ta fitojmë. Megjithatë, nuk do ta nënvlerësojmë Pogradecin. Do të bëjmë disa ndryshime në formacion për t’u dhënë mundësi lojtarëve që janë aktivizuar pak në dy ndeshjet e para të kampionatit”. Luftëtari ka qenë pushim në javën e tretë të kampionatit në Grupin B dhe kthehet të dielën në fushë, ku pret Memaliajn dhe fitorja kërkohet me çdo kusht. GËZIM BEQIRI
Drononiku: Tomori, me të rinjtë kundër Ilirisë
Ndërprerja e kampionatit i ka shërbyer Tomorit për të zhvilluar një minifazë për konsolidimin e ekipit. Takimi i Kupës ndaj Ilirisë që do të zhvillohet sot në shtëpi shikohet sërish në të njëjtin kënd. Trajneri Iken Droboniku, për “Panorama Sport” u shpreh:
“Ndeshjen e Kupës e kemi vendosur në funksion të kampionatit. Nuk e nënvlerësojmë aktivitetin, madje do të luajmë me seriozitet edhe pse në fushë do të zbresin futbollistët që në tri javët e para kanë marrë shumë pak kohë aktivizimi në kampionat. Kështu që, titullarët do të jenë të gatshëm vetëm për ndeshjen e radhës në kampionat, ndërsa talentet e reja do të na argëtojnë me lojën e tyre. Ata kanë nevojë për minuta dhe ne si staf do t’i mbështesim gjithnjë”. EDI SPAHIU
Fraholli: Me Erzenin, e pamundur për Naftëtarin
Ndërprerja e kampionatit i ka shërbyer Naftëtarit për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e ardhshme. Të dielën kuçovarët do të kenë një përballje të vështirë në transfertë me Ilirinë. Megjithatë, përpara rifillimit të kampionatit, Naftëtari luan turin e parë të Kupës, ku do të përballet me Erzenin në Shijak. Në lidhje me këto dy ndeshje, trajneri Barjam Fraholli, për “Panorama Sport” u shpreh: “Padyshim ne jemi përqendruar te kampionati, ku kërkojmë një ecuri sa më të mirë, duke filluar nga ndeshja e radhës me Ilirinë. Sot luajmë ndeshjen e Kupës dhe mendoj se ndaj Erzenit të Kategorisë së Parë në transfertë, do ta kemi shumë të vështirë. Kupa mbetet një mision i pamundur. Gjithsesi, kjo ndeshje do të na shërbejë për përballjen në kampionat”. ARBEN ÇEPANI
ILIRIA
Iliria do të zhvillojë dy takime këtë javë me skuadra të Qarkut Berat. Sot për Kupë ndaj Tomorit dhe të dielën në kampionat ndaj Naftëtarit, por kësaj radhe në shtëpi. Në prag të këtyre dy sfidave, Erlind Qehaja u shpreh: “Janë dy sfida të vështira, por jo të pamundura për t’u fituar. Në Berat shkojmë për kualifikimin në Kupë, ndërsa të dielën do të kërkojmë fitoren në kampionatit, për të mos e lëshuar më kreun. Objektivi ynë final është ngjitja në të Parën”. ABDULLA DUSHKU
VELEÇIKU
Veleçiku në turin e parë të Kupës luan ndaj Korabit, takim i cili do të luhet sot në kompleksin stërvitor të Vorës. Trajneri Duli në lidhje me këtë ndeshje, për “Panorama Sport” tha: “Kupa nuk është objektivi ynë, por do të tregojmë vlerat tona. Do t’u jap hapësirë lojtarëve të stolit, të cilët i kanë minutat me pikatore. Veleçiku është i përqendruar te takimi i radhës në kampionat që do të luajmë në fundjavë me Tërbunin në Pukë, ku kërkojmë vazhdimësinë”. BASHKIM RAMEKAJ
ADRIATIKU
Adriatiku do të përballet sot në Kupë ndaj Bylisit në Ballsh. Klubi synim madhor e ka në kampionat, ku të hënën presin Besëlidhjen në Vorë. “Janë dy ndeshje kundër dy ekipeve me emër në futbollin shqiptar, por më e rëndësishme për ne është përballja në kampionat kundër Besëlidhjes. Këtu do të synojmë fitoren. Ndërsa në Kupë, ne synojmë një paraqitje sa më dinjitoze, dhe pse jo të tentojmë edhe kualifikimin”, u shpreh golashënuesi Adhurim Hasani.
TURBINA
Turbina do të luajë sot në Elbasan ndeshjen e Kupës me verdheblutë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, shefi klubit cërrikas, Engjëll Belshi, deklaroi: “Luajmë ndeshjen e Kupës me Elbasanin, një takim që për ne do të jetë i thjeshtë. Turbina nuk e ka përparësi Kupën, por vëmendjen e merr sfida e kampionatit, ku të dielën luajmë në Berat. Me Tomorin do të jetë vendimtar për ne, pasi kërkojmë fitoren e parë. Gjithsesi, Kupën e respektojmë dhe gjendja e ekipit është e mirë”. M. MIRAKA
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"