Komisioni i Apelit në FSHF ka hedhur poshtë Komisionin e Disiplinës dhe Etikës për dënimin e Tiranës. Kujtojmë se kryeqytetasit u dënuan pas ngjarjeve me Vllazninë, që të luajnë pa tifozë pjesën e mbetur të sezonit.
Apeli ka vendosur konkretisht që të dënohet me tetë ndeshje pa spektatorë. Ndërkohë që tre janë kryer tashmë dhe pjesa e mbetur është pezulluar me kusht. Në fuqi nga Disiplina mbetet vetëm gjoba e 300 mijë lekëve të reja.
Ishte data 30 tetor, kur u luajt takimi me Vllazninë në Lushnjë, që përfundoi 3-4 për shkodranët. Për shkak të ndërprerjes së ndeshjes që u shkaktua nga tifozët e Tiranës, Disiplina i dënoi bardheblutë për të luajtur gjithë pjesën e mbetur të sezonit pa mbështetësit e saj.
Ndërkohë që pa tifozë qëndruan ndaj Egnatias, Bylisit dhe Elbasanit. Tashmë në derbin me Partizanin, më 1 dhjetor ora 19:00 do të kenë mundësinë e tifozëve në stadium.
Vendimi i Apelit:
Komisioni i Apelit pasi mori në shqyrtim ankimin e Klubit të Futbollit Tirana,
Vëren se:
Me vendimin nr.13, pika 1 datë 01.11.2024 Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka vendosur të marrë kundrejt KF Tirana, masat disiplinore si më poshtë vijon:
KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke mos garantuar sigurinë e lojtarëve të ekipit mik, në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/1, 17/2/b, 17/2/c dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë dhe zhvillimin pjesës së mbetur të ndeshjeve të sezonit futbollistik 2024-2025 pa spektatorë.
Më datë 09.11.2024 KF Tirana, ka paraqitur ankim me objekt:
- Rrëzimin e Vendimit13, pika 1 datë 01.11.2024 të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës.
Komisioni i Apelit të Disiplinës dhe Etikës pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, dogjoi përfaqësuesit e Klubit të Futbollit Tirana, shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe diskutoi çështjen në tërësi si dhe duke u bazuar në nenet 65 e vijues të Kodit të Disiplinës dhe Etikës,
VENDOSI:
- Lënien në fuqi të masës së dënimit me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë.
- Ndryshimin e pjesës tjetër të vendimit duke vendosur:
- Dënimin e Klubit të Futbollit Tirana për zhvillimin e të 8 (tetë) ndeshjeve pa spektatorë.
- Pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit prej 5 (pesë) ndeshjesh.
- Pezullimi i dënimit revokohet nëse gjatë periudhës së provës KF Tirana kryen një shkelje tjetër të natyrës dhe rëndësisë së ngjashme.
- Periudha e provës do të jetë deri në përfundim të sezonit futbollistik 2024-2025.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS/TAS) Lozanë Zvicër.
PANORAMASPORT.AL