Lamçe: Valbona e ka “liri a vdekje’ me Pogradecin, duhet një sforco e madhe nga ekipi për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2025 | 22:45

Lamçe: Valbona e ka “liri a vdekje’ me Pogradecin, duhet një sforco e madhe nga ekipi për mbijetesën

Valbonës po i veniten shpresat e mbijetesës, pas humbjes dhe thellimit të diferencës së pikëve me rivalin e saj më të afërt, Korabi. Pas dy transfertave mjaft të vështira, në Fier dhe Peshkopi, skuadra rikthehet në shtëpi, ku të shtunën presin Pogradecin.

frenki lamçe valbona

Kjo do të jetë ndeshja e parë e Valbonës në shtëpi për 2025-ën, kështu që tropojanëve nuk u ka mbetur gjë tjetër përveçse të luftojnë për tri pikët, që do të ndikonte së tepërmi për rritjen e anës psikologjike. Lidhur takim kundër Pogradecit, qendërmbrojtësi Frenki Lamçe e konsideron si një ndeshje jetike. Lushnjari Lamçe është “natyralizuar” si tropojan, pasi luan prej vitesh me Valbonën dhe është optimist se skuadra do të arrijë qëllimin kundër Pogradecit.

Për “Panorama Sport” ai u shpreh: “Kundër Pogradecit, skuadra duhet të bëjë një sforco të jashtëzakonshme, jo vetëm për të rikuperuar diferencën e pikëve me rivalët, por edhe ta konsiderojmë si një ndeshje jetike, ‘liri a vdekje’. Fitorja për ne është detyrim me përcaktim, sigurisht nëse duam të mbijetojmë. Ndryshe, shkojmë andej nga erdhëm në fillim të sezonit”.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"