Lata, Rusta dhe jo vetëm! UEFA i “heq” Superiores 4 gjyqtarë për ndeshjet e javës së 10-të

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2024 | 20:36

Lata, Rusta dhe jo vetëm! UEFA i “heq” Superiores 4 gjyqtarë për ndeshjet e javës së 10-të

FSHF do të ketë disa probleme për të zgjedhur gjyqtarët që do të drejtojnë ndeshjet e javës së 10 të Superiores, pasi do të ketë mungesa të katër gjyqtarëve të cilët zakonisht caktohen në takimet e saj në elitë.

lata cenolli

Florian Lata, Emanuela Rusta, Kreshnik Barjamaj dhe Olsion Yzeiraj nuk do të mund të drejtojnë ndeshje në këtë fundjavë në futbollin shqiptar, në sfidat që ndahen mes të premtes dhe të shtunës. Lata, Rusta dhe Barjamaj kishin drejtuar ndeshje të javës së 9-të, ndërsa Yzeiraj kishte qenë në VAR në takimin Bylis-Skënderbeu.

Mungesa e tyre nuk ka lidhje me ndonjë dënim për vendimet që kanë marrë gjyqtarët, ndonëse ka pasur ankesa për Latën dhe Rustën. Gjyqtarët e mësipërm janë të gjithë të angazhuar në aktivitete të UEFA-s ndaj e kanë të pamundur të drejtojnë në këtë fundjavë.

Florian Lata do të jetë gjyqtar në një nga minigrupet e kualifikuesve të U17 në Maltë. Ndërsa Emanuela Rusta është caktuar të drejtojë ndeshjen e kualifikueseve të Europianit të femrave, mes Gjeorgjisë dhe Irlandës në Tbilisi.

Përveç asistentes Mirjeta Salla dhe gjyqtares së katërt Eglantina Pjetrushaj, UEFA i ka caktuar në sallën e VAR-it dyshen Barjamaj-Yzeiraj, të cilët kësisoj në këtë fundjavë do të jenë edhe ata protagonistë në futbollin e femrave në arenën ndërkombëtare.

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"