Lautaro: Interi nuk ndalet më! Ky është momenti i artë karrierës time
Kostumi i errët dhe një buzëqeshje e madhe. Çfarë lumturie për të parë edhe një herë suksesin e një sezoni më parë. Lautaro Martinez është si një festë e vazhdueshme, si një shishe shampanje gjithmonë gati në frigorifer, një rast pas tjetrit, qoftë Botëror, titulli kampion, shirit kapiteni, titull kampion si golashënues. Dhe nuk ka përfunduar këtu.
Javën e kaluar u fut në garë mes finalistëve për “Topin e Artë”, ku do ta mbyllë në pozicionet e para. Dhe nuk është çudi që argjentinasi vjen nga të parët për të shijuar filmin e titullit kampion të 20-të të historisë. Lautaro sheh nga larg, buzëqesh dhe duartroket. Me mendje rikthehet pas, si për të admiruar rrugëtimin e bërë. Dhe kur tregon për “Gazzetta Dello Sport” e ka zërin që i dridhet prej emocioneve. “Ai titull kampion është emocioni më i madh i karrierë time, të paktën në nivel klubesh. Sigurisht që është Botërori i fituar me Argjentinën që për mua ka qenë ëndrra e madhe e fëmijërisë. Është shumë e vështirë që të bëj klasifikim”, fillon rrëfimin ai.
AI VRAPIM- Fakti që ka kaq shumë emocione për t’i renditur në karrierën e tij tregon madhështinë e lojtarit. Të bën të kuptosh pse Interi bëri gjithçka për ta mbajtur në skuadër edhe me rrogë shumë të lartë deri në vitin 2029. “Ky yll i dytë në fanellë më bën pjesë të historisë së klubit. E njëjta gjë vlen edhe për shokët e skuadrës. Ishte diçka speciale, kjo është e vërteta. Ky film na jep mundësinë që të rijetojmë edhe një herë tjetër ato emocione të forta të sezonit. Ishte një vit me shumë impenjime, por me punë ndërtuam diçka të bukur”, tha kapiteni.
Entuziazmi është ende prezent. Jashtë kinemasë ka fanella zikaltër pafund. I gjithë Interi është aty për të parë edhe një herë tjetër atë që ndodhi sezonin e kaluar me objektivin që do të shërbejë si një burim frymëzimi dhe për këtë aktualin. “Nëse do të duhet të zgjedh një moment është derbi i 22 prillit. Doja që të vrapoja drejt tifozëve, por u bllokova nga emocionet. Në mendje më shkuan shumë gjëra, momentet e vështira që kemi kaluar tek Interi dhe në jetë. Jam shumë krenar”, shtoi ai.
TË VAZHDOJMË– Dhe krenaria është një bazë e mirë për të vazhduar rrugëtimin. Sepse Lautaro Martinez nuk ka asnjë qëllim për t’u ndalur. Kapiteni është aty për të treguar rrugën drejt suksesit edhe për shokët e skuadrës dhe për të gjithë botën zikaltër. “Shpresojmë që të bëhen filma të tjerë për ne. Ky titull kampion ishte shumë i rëndësishëm për karrierat tona dhe për klubin. Por nuk duhet të ndalemi këtu. Duhet të vazhdojmë të fitojmë trofe dhe ta çojmë Interin sa më lart të jetë e mundur. Duhet të kemi dëshirën për t’u rritur ditë pas dite në nivel individual dhe me grupin në të gjitha aspektet”, përfundoi Lautaro. Kështu mendojnë kampionët e vërtetë.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"