Lautaro Martinez ëndërron “Topin e Artë”, në vendlindjen e tij e shohin si fitues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2024 | 12:00

Lautaro Martinez ëndërron “Topin e Artë”, në vendlindjen e tij e shohin si fitues

Lautaro Martinez është me 30 kandidatëve për të fituar “Topin e Artë” për të dytin sezon radhazi. Vitin e kaluar sulmuesi argjentinas u rendit në vendin e 20-të, ndërsa në vitin 2021 në vendin e 21.

lautaro

Këtë herë, parashikimet e shohim mes 10 vendeve të para, për të mos thënë në “Top 5”. Kapiteni i Interit ka bërë një sezon prej protagonisti në Serinë A ku ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fitoren e titullit kampion të zikaltërve. Ai ka fituar gjithashtu Superkupën e Italisë dhe përveçse doli golashënuesi më i mirë i kampionatit, u shpall edhe lojtari më i mirë i sezonit. Pa harruar faktin që “El Toro” u shpall golashënues i Kupës së Amerikës dhe ndihmoi Argjentinën për ta fituar këtë trofe.

“Nisur nga sezoni që kam bërë, sigurisht që e meritoi të jem mes finalistëve të Topit të Artë. Kam punuar shumë për të arritur në këto nivele dhe është hera e dytë radhazi që futem mes 30 vendeve. Mendoj se i kam bërë gjërat siç duhet dhe jam shumë krenar për këtë”, ka thënë Lautaro për “Tnt Sports” pas ndeshjes që Argjentina luajti me Kilin e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.

Lautaro qëndroi në fushën e lojës për 79 minuta dhe u zëvendësua nga Garnaço. Nuk e gjeti dot rrugën e rrjetës dhe në këtë sezon të ri ende nuk ka shënuar asnjë gol, por ishte nga më të mirët në fushën e lojës në fitoren 3-0 që skuadra e Skalonit arriti. Ai ishte vendimtar në golin e MekAlister. Golat e tjerë u shënuan nga Alvarez dhe Paulo Dibala.

Të martën, 27- vjeçari do të jetë sërish në fushën e lojës me kombëtaren e tij për ndeshjen kundër Kolumbisë, pastaj do të rikthehet në Milano. Simone Inzagi ka qenë sy e vesh nga kapiteni i tij duke qenë se edhe në Milano nuk ka qenë në formën optimale.

Zikaltrit shpresonin që ai të mos shkonte në grumbullim, por Lautaro nuk bën kompromise. Tani Interi shpreson që ta ketë në formë për sfidat vendimtare dhe për “turin” e forcës që do ta vërë përballë Monzës, Mançester Sitit dhe derbit të Milanos kundër Milanit. Kampionët e Italisë kanë nevojë edhe për golat e tij.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"