Lautaro në krizë, kapiteni nuk ndez dhe krijon telashe te Interi
Lautaro Martinez u zhduk në mjegull. Interistët që u larguan nga “San Siro” pyesin veten dhe njëri-tjetrin me zë të ulët për rendimentin e kapitenit të tyre.
Çfarë po ndodh me argjentinasin? Numrat thonë se në krahasim me sezonin e kaluar është një tjetër lojtar. Në këtë pikë të sezonit vjet kishte shënuar 14 gola në të gjitha kompeticionet. Këtë vit ka vetëm 6,5 në kampionat dhe një në Champions.
NË RËNIE- Kundër Napolit u limitua në maksimum nga markatura asfiksuese e Buonxhornos. Mbrojtësi i Napolit u detyrua që të spostohej deri në mesfushë dhe për të larguar topat d pisët që shkonin drejt sulmuesit. Në rastin e vetëm që pati, atë në pjesën e dytë preferoi të mos godiste menjëherë, por të zotëronte topin. Por ky është një tjetër Lautaro. E tregon edhe mënyra se si ka lëvizur në fushën e lojës. Më shumë topa i ka prekur në mesfushe dhe shumë pak brenda zonës. Argjentinasi ka bërë vetëm 13 pasime dhe nuk ka goditur kurrë në portë. Tentoi vetëm një goditje që përfundoi jashtë dhe një tjetër që u devijua nga “muri” i Kontes. Rënia e “Toros” nga viti i kaluar është evidente.
DIFERENCAT- “Mallkimi” i parë lidhet me stadiumin San Siro. Me Venecian, Lautaro u rikthye të shënonte në shtëpinë e tij pas 249 ditësh. Herën e fundit kishte gjetur rrjetën në 28 shkurt 2024 kundër Atalantës. Nga ajo ditë një mungesë e gjatë në “Meazza”. Nuk ka përfunduar këtu. Vitin e kaluar, në këtë moment të kampionatit ai kishte udhëhequr skuadrën ndaj Sociedadit, Salcburgut, Monzës, Kaljarit, Fiorentinës, Bolonjës, Torinos, Romës, Atalantës dhe Salernitanës.
Madje ndaj këtyre të fundit shënoi 4 gola në 35 minuta. E mbylli vitin si golashënues dhe pastaj fluturoi për në Kupën e Amerikës, ku fitoi dhe aty si në Serinë A: si “top scorer” absolut. Inzagi e ka mbështetur gjithmonë. Për të, Lautaro nuk preket, nuk diskutohet, por thjesht dashurohet dhe mbrohet. Por në ndeshjet e mëdha ai ka qenë i fikur, ku ka arritur të shënojë vetëm ndaj Romës. Me Sitin nuk ia doli, me Arsenalin, Milanin, Juven dhe Napolin po ashtu. Interit i duhen golat e tij për të vazhduar vrapin drejt objektivave të mëdha të këtij sezoni.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"