Lëshoi kreun pas barazimit në Shijak, Besa vuan “agjërimin” e repartit sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2024 | 13:30

Lëshoi kreun pas barazimit në Shijak, Besa vuan “agjërimin” e repartit sulmues

Barazimi pa gol në Shijak, nuk ishte i pari për kavajasit. Më herët të besuarit e trajnerit Josa barazuan në transfertën ndaj Lushnjës, por barazimi ndaj Erzenit i kushtoi Besës lëshimin e vendit të parë në klasifikim.

besa me josen

Vërtet Besa dominoi takimin, veçanërisht në pjesën e parë, por humbi raste të pastra shënimi dhe fundi i takimit erdhi me një tjetër fitore të mohuar. Nëse prapavija me në krye portierin Mehidri ka pësuar vetëm 1 gol, duket se “thembra e Akilit” është sulmi. Trajneri Mirel Josa ka aktivizuar 3 sulmues, duke nisur nga Kanu, Kur Mert dhe Ibrahimin, por të paktën në këto 8 javë asnjëri nuk ka bindur se është i denjë për një klub si Besa, si dhe një sulmues që mund ta nxjerrë ekipin nga situata. Mjafton t’i referohemi listës së golashënuesve, ku Mazrekaj dhe një qendërmbrojtës si Jurgen Goxha janë shënuesit. Mesfushori me tipare sulmuese Ermir Spahiu përpiqet shumë, del para portës, shërben, por nuk mund të bëjë dot rolin e pikës referuese në sulm.

Me sa duket, presidenti Bizhdili po pret janarin për të zgjidhur këtë ngërç në vijën sulmuese. Në stol, gjithashtu ka vetëm një sulmues, Flavjo Meçja, por që nuk ka marrë besimin e trajnerit Mirel Josa. Kavajasit këtë fundjavë do të kenë një ndeshje kryesuesish, ku do të presin Vorën dhe kanë mundësi për të bërë rokadën në krye të klasifikimit. Një përballje vërtet e vështirë, por Besa nuk do të ketë alternativë tjetër veç fitores. Verdhezinjtë do të kenë edhe rikthimin e qendërmbrojtësit Jurgen Goxha, një “sulmues” më shumë që dallohet në kërcimet e tij të fuqishme në zonë e ku ka dëshmuar se njeh golin po aq sa një sulmues.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"