Lëvizjet e fundit në kampin vlonjat/ Eqerem Memushi mbetet në klub, Flamurtari skuadër drejtorësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2024 | 11:57

Lëvizjet e fundit në kampin vlonjat/ Eqerem Memushi mbetet në klub, Flamurtari skuadër drejtorësh

Eqerem Memushi rikthehet sërish në skenë. Rrugët mes trajnerit vlonjat dhe klubit, duket se nuk do të ndalen. Në një kohë që pista e rikthimit të Memushit në krye të pankinës së Flamurtarit është zbehur, por nuk ka rënë.

memushi licaj

Administratori Sinan Idrizi po mendon t’i japë teknikut që mbylli sezonin në krye të pankinës kuqezi një rol drejtues në klub. E ndërsa nuk specifikohet se për çfarë bëhet fjalë, “Panorama Sport”, zbulon se Eqerem Memushi është në planet e Sinan Idrizit. Administratori ka vendosur që të mos e largojë nga klubi trajnerin vlonjat, nisur nga puna pozitive që ka realizuar në krye të skuadrës, pavarësisht se nuk arriti dot të realizonte objektivin madhor. Burime pranë klubit thonë për gazetën se përkushtimi që Memushi ka treguar në detyrën e trajnerit, si dhe grinta që e karakterizon, kanë bindur Idrizin që të vijojë bashkëpunimin me trajnerin vlonjat, tashmë në një tjetër pozicion.

Janë të mëdha gjasat që Eqerem Memushi të mos e refuzojë detyrën e re që do t’i ofrohet nga klubi. Dy janë mundësitë: e para, që Memushi të emërohet sekretar i klubit, detyrë që deri tani e mbante Andi Ribaj. Dhe opsioni i dytë, t’i besohet roli i zbulimit të talenteve, por ekziston edhe një mundësi tjetër… Qëndron ende në lojë mundësia për t’u rikthyer si trajner i Flamurtarit, nëse pistat që po shqyrtohen deri tani nuk do të realizohen për një apo tjetër arsye. Janë disa emrat e lakuar si kandidatë, por në realitet Flamurtari mbetet pa “timonier”. I pyetur nga gazeta para tre javësh në lidhje me të ardhmen, Eqerem Memushi u shpreh:

“E ardhmja ime varet nga ata që financojnë. Varet nga projekti dhe ambiciet e tyre, si dhe nga shija. Çdo njeri ka shijen e tij. Unë kam falënderime. I uroj gjithë të mirat familjarisht zotit Idrizi. Jam apo nuk jam unë trajneri në sezonin e ri, mua aty më ka në shkallët e stadiumit, siç kam qenë gjithmonë. Do të jem aty në mbështetje të Flamurtarit”.

SA SHUMË DREJTORË– Flamurtari mund të hyjë në histori edhe si klubi që do të ketë numrin më të lartë të drejtuesve. Sinan Idrizi është duke bërë disa ndryshime në strukturën e klubit, që të përafrohet në mënyrën e organizimit të klubeve europiane. “Panorama Sport”, mëson se do të shtohet numri i pozicioneve. Klubi pritet të ketë sekretar të përgjithshëm, drejtor teknik, drejtor sportiv, drejtor të zbulimit të talenteve, drejtor akademie. Si drejtor sportiv, pritet që të emërohet Artim Pollozhani. Nuk dihet nëse klubi do të vijojë bashkëpunim me Alfred Ferkon.

Nëse ky i fundit do të vijojë, do t’i besohet detyra e drejtorit teknik. Të dubluara do të jenë edhe rolet në stafin teknik të skuadrës. Trajneri do të ketë dy ndihmës (zv.trajnerë), por dhe një përgatitës atletikë. Gjithashtu, dy do të jenë edhe përgatitësit e portierëve. Gazeta zbulon se përgatitësit e portierëve për sezonin e ri janë përcaktuar. Luan Birçe nuk do të lëviz. Ai do të punojë në këtë pozicion së bashku me Erjon Dinen, ish-portierin e Flamurtarit, Apolonisë dhe Himarës.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"