Liga e Kampioneve/ Juventusi i dënuar të fitojë kundër Bryzhit, në Belgjikë me “laps e letër”
Fitorja e bukur ndaj Milanit në ndeshjen e fundit të kampionatit ka rikthyer entuziazmin në Kontinasa ku Juventusi i Tiago Motës u përgatit për ndeshjen e radhës në Belgjikë kundër Bryzhit që do të luhet sot në orën 21:00, ku është i “detyruar” të fitojë.
Përtej tri pikëve vendimtare në sfidën e kampionatit, lajmi i mirë për trajnerin e Juventusit nuk mbaron me kaq. Madje, në seancën stërvitore në prag të angazhimit europian, tre lojtarët që ishin në dyshim u stërvitën edhe me pjesën tjetër të grupit. Bëhet fjalë për Mekenin, Jildiz dhe Konseisaon të cilët janë të grumbulluar për sfidën e sotme. Seanca stërvitore ishte veçanërisht e rëndësishme për Motën dhe stafin e tij për të vlerësuar kushtet fizike të tre lojtarëve të dëmtuar.
Mekeni dhe Jildiz u larguan me probleme fizike nga ndeshja kundër Milanit në kampionat, por është gjithashtu e rëndësishme fakti që rikthehet Konseisao, i cili nuk ka qenë një mungesë e vogël në sfidat e fundit. Sakaq, në Kontinasa u pa edhe Kolo Muani, i cili bëri vrapimet e para me bashkëlojtarët e ardhshëm, në pritje të dritës jeshile nga Parisi për të përfunduar huazimin dhe më pas regjistrimin si bardhezi. Sakaq, të vetmit lojtarë që nuk do të jenë në dispozicion të Tiago Motës për këtë përballje janë të dëmtuarit që kanë humbur sezonin si Kabal e Bremer dhe i përhershmi tashmë Arkadiuzh Milik. Në këtë sfidë, Mota rigjen të gjithë pjesën e mbetur të ekipit, diçka që nuk i ka ndodhur shumë shpesh deri në këtë pikë të sezonit. Juventusi ndodhet në vendin e 14-të në Champions dhe me një fitore do të siguronte fazën “play off”, për të luftuar më pas për një vend mes 8 më të mirëve.
FORMACIONI- Por si pritet të luajë Tiago Mota pas rikthimeve të fundit në një sfidë shumë të rëndësishme si ajo ndaj Bryzh? Di Gregorio pritet të konfirmohet në portë, ndërsa mbrojtja do të përbëhet nga Savona që kthehet titullar, Gati e Kalulu në qendër dhe Kambiazo në të majtë. Në qendër të mesfushës do të vendosen sërish Turam e Lokateli. Niko Gonzalez do të jetë edhe njëherë tjetër në krye të sulmit në vend të Vlahoviçit, ndërsa pas krahëve të tij do të pozicionohet Ueah, Kopmeiners dhe Mbangula.PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"